STRASBURG – Von der Leyen: Mekanizëm evropian reagimi ndaj kërcënimeve të sigurisë
STRASBURG, 16 shtator /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për krijimin e një mekanizmi evropian alarmi, të pavarur nga NATO-ja, për të reaguar bashkërisht ndaj kërcënimeve të sigurisë që nuk arrijnë nivelin e një agresioni të armatosur.
“Sulmet kibernetike dhe sabotimet, zjarrvëniet, inkursionet me dronë: ato po shtohen çdo ditë”, tha sot Von der Leyen, në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg.
Sipas planeve, të 27 vendet e BE-së do të mblidheshin nëse njëri prej tyre do të aktivizonte mekanizmin e planifikuar të alarmit.
Qëllimi do të ishte parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm dhe zbutja e ndikimit të kërcënimit.
“Evropa ka nevojë për strategjinë e saj të kundërpërgjigjes ndaj kërcënimeve hibride. Na duhet urgjentisht një konsensus se si të reagojmë ndaj incidenteve të caktuara”, tha ajo.
“Me fjalë të tjera, një mekanizëm që plotëson Nenin 4 të NATO-s”, tha Von der Leyen.
Sipas Nenit 4 të dokumentit themelues të aleancës së mbrojtjes, aleatët mund të kërkojnë një mbledhje urgjente për incidente sigurie që nuk përbëjnë konflikt të armatosur, por që kërcënojnë sigurinë, territorin ose lirinë e tyre politike.
“Sistemet tona janë krijuar për një botë tjetër”, u tha Von der Leyen ligjvënësve të BE-së.
“Ato udhëhiqen nga përpjekje të mirësynuara për konsensus dhe kompromis. Por duhet të shqyrtojmë nëse ato janë ende të përshtatshme për qëllimin e tyre”, tha ajo.
Kreu i Komisionit njoftoi gjithashtu planet për një Këshill Evropian të Sigurisë, ku liderët e BE-së do të takoheshin me liderë nga vende partnere si Kanadaja, Norvegjia, Ukraina dhe Britania e Madhe./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.