Strategjia e Trumpit për SHBA-Hapje me tre faza. Trump u jep përgjegjësi guvernatorëve
Presidenti amerikan, Donald Trump prezantoi strategjinë e pritur me shumë interes në drejtim të lirimit të masave kundër pandemisë së Coronës. Por një plan i saktë kohor mungon.
Strategjia e presidentit amerikan, Donald Trump parashikon një lirim të kufizimeve për shkak të pandemisë së Coronës në tre faza. “Kjo do të jetë “e kujdesshme” dhe do të pasojë “shteti pas shteti federal”, tha Trump. Me këtë Trump u jep përgjegjësi edhe guvernatorëve. Ata duhet të drejtojnë procesin e hapjes graduale, jo Shtëpia e Bardhë, tha Trump. Në ditët e kaluara, presidenti Trump pati shumë debate me guvernatorët e shteteve federale dhe deklaroi se në çështjen e lirimit të masave ai ka “kompetenca absolute pushteti”. Tani ai ua la në dorë guvernatorëve të lirojnë apo t’i mbajnë në fuqi masat për zbutjen e pandemisë, si kufizimet e lëvizjes apo mbylljen e bizneseve.
Vazhdimësia e pandemisë vendimtare
Para hyrjes në strategjinë me tre faza, në shtetet federale duhet të ketë rënë numri i infeksioneve me Corona në një hapësirë 14 ditore. Për kapacitetet e testimit janë përgjegjës vetë shtetet federale. Më parë qeveria amerikane u vu në kritika për shkak të mungesës së testeve.
Nëse bien infeksionet, shtetet federale lejohen që deri në fund të prillit të lirojnë disa masa. Por grumbullimet më shumë se 10 vetë nuk do të lejohen edhe më tej. Kush mund të punojë nga shtëpia duhet ta bëjë këtë edhe më tej. Shkollat mbeten të mbyllura. Gastronomia, kinematë, kishat mund të hapen, nëse mund të garantojnë distancën e duhur mes personave.
Në fazën e dytë punëmarrësit do të inkurajohen të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia. Në firma do të qëndrojnë të mbyllura hapësirat, ku njerëzit grumbullohen. Vizitat në spitale e azile pleqsh ndalohen. Udhëtimet që duhen bërë rifillojnë, po ashtu hapen edhe shkollat.
Në fazën e tretë e të fundit punonjësit do të rikthehen në punë. Edhe vizitat në spitale e azile pleqsh lejohen. Kurse grupet e rrezikuara duhet të mbajnë distancën tek të tjerët.
Rregullat e reja që paraqiti presidenti amerikan mbajnë mbishkrimin “Të rihapim Amerikën sërish” – një evokim i motos së Trumpit “Make America great again”. Më parë Trump e kishte minimizuar rrezikun e virusit duke thënë, se Amerika e ka gjendjen nën kontroll. Ndërkohë SHBA është vendi me numrin më të lartë të infeksioneve. Sipas të dhënave të universitetit, John Hopkins kanë ndërruar jetë më shumë se 30.000 vetë për shkak të virusit Corona.