Strategjia Kombëtare për Kulturën 2026-2030, rishikim i ligjit të artit dhe status i artistit
Strategjia Kombëtare për Kulturën 2026-2030 synon të përmirësojë ligjet e kulturës, të modernizojë mbrojtjen e trashëgimisë dhe të krijojë statusin e artistit si një sistem i ri mbështetës ndërsektorial për artistët. Vjet në tetor u bë me dije dhe nisja e punës për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026-2030, ku këto ditë projektvendimi është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkanin Perëndimor dhe një aktore aktive në hapësirën kulturore evropiane.
Ky është vizioni i Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026-2030, sipas projektit të hedhur për konsultim publik nga MTKS, ku ndër të tjera thuhet se strategjia synon të bëjë reforma të thella në ligjet dhe institucionet e kulturës. “Strategjia përcakton një paketë të qartë reformash legjislative dhe rregullatore, duke nisur nga rishikimi i plotë i kuadrit ligjor kulturor dhe i Ligjit për Artin dhe Kulturën, modernizimi i normave për mbrojtjen e trashëgimisë, si dhe vendosja e Statusit të Artistit si një kuadër ndërsektorial. Këto reforma shoqërohen me ndryshime në legjislacionin fiskal dhe tatimor për ta bërë punën artistike më të qëndrueshme, me stimuj të rinj për sponsorizimin privat dhe investimet në kulturë, si edhe me riorganizimin e qeverisjes institucionale mbi bazën e autonomisë, llogaridhënies dhe menaxhimit të bazuar në performancë”, thuhet në projektvendim të MTKS-së.
Reformat
Referuar projektvendimit të MTKS-së për strategjinë, këto reforma operacionalizohen përmes planeve të integruara të veprimit nën tre shtyllat strategjike, secila e lidhur me objektiva konkrete, afate kohore dhe tregues të matshëm. “Shtylla 1, Kultura si nxitëse e cilësisë së jetës, zbaton veprime që zgjerojnë aksesin e përditshëm në kulturë, duke modernizuar muzetë, forcuar qendrat kulturore dhe kujdestarinë komunitare, si dhe duke krijuar programe kombëtare për përfshirjen, leximin dhe pjesëmarrjen e të rinjve.
Për më tepër, Strategjia promovon turizmin kulturor që shkon përtej monumenteve, duke ofruar përvoja autentike të krijimtarisë, artizanatit, arteve skenike dhe trashëgimisë së përditshme. Shtylla 2, Kultura si mjet dialogu në nivel ndërkombëtar, i përkthen ambiciet ndërkombëtare në instrumente për bashkëpunim, mobilitet, markim kulturor dhe eksport të krijimtarisë shqiptare, ndërsa Shtylla 3, Mundësimi i ekosistemit kulturor, konsolidon kushtet mbështetëse përmes ngritjes së kapaciteteve, platformave digjitale, mekanizmave të rinj të financimit dhe instrumenteve të posaçme të qeverisjes, si Njësia e Koordinimit të Politikave Kulturore dhe udhërrëfyesi i reformës ILGA”, sqarohet më tej në projektvendim.
Ndërsa së treti në relacionin shoqëruar të këtij projektvendimi, strategjia i transformon nevojat në mundësi duke harmonizuar reformat dhe veprimet brenda një kuadri financiar afatmesëm që rrit gradualisht investimet në kulturë drejt niveleve evropiane, diversifikon burimet e financimit dhe planifikon zbatimin përgjatë periudhës 2026-2030. “Në këtë mënyrë, dobësitë strukturore- nëninvestimi, boshllëqet ligjore, centralizimi, tregjet e dobëta dhe pjesëmarrja e ulët- trajtohen jo si kufizime statike, por si pika nisjeje për një tranzicion të planifikuar drejt një ekosistemi kulturor modern dhe të harmonizuar me BE-në.
Ky kuadër financiar afatmesëm parashikon një investim mesatar vjetor prej rreth 10 miliardë lekësh, ku afërsisht 70 për qind sigurohet nga buxheti i shtetit (duke kombinuar racionalizimin e alokimeve ekzistuese me fonde të reja të synuara), ndërsa 30 për qind e mbetur mobilizohet nga programet e BE-së, partnerët ndërkombëtarë, investimet private dhe kontributet e diasporës”, thuhet në relacion rreth projektvendimit.
Sot, Shqipëria alokon rreth 0.3-0.5 për qind të PBB-së për kulturën dhe rekreacionin, ndër nivelet më të ulëta në Evropë dhe më pak se gjysma e mesatares së BE-së prej afërsisht 1.2 për qind të PBB-së. Përmes kësaj strategjie, sipas relacionit shpjegues, Shqipëria angazhohet ta dyfishojë këtë përqindje gjatë pesë viteve të ardhshme, duke synuar të arrijë të paktën 0.8 për qind të PBB-së, në përputhje me shtete të krahasueshme të BE-së si Rumania, Bullgaria dhe Italia, dhe në afatgjatë drejt nivelit 1-1.2 për qind.
Zbatimi i strategjisë
Roli i sektorit të pavarur
Strategjia Kombëtare për Kulturën 2026-2030 e konsideron sektorin e pavarur kulturor një partner kyç në zbatimin e saj, duke përfshirë qeverisjen, financimin dhe mekanizma të tjerë mundësues. Referuar draftstrategjisë së MTKS-së thuhet, se strategjia njeh se zhvillimi i shëndetshëm i sektorit kulturor dhe krijues kërkon një terren të barabartë të operimit midis institucioneve publike kulturore dhe aktorëve privatë ose të pavarur.
“Në këtë kontekst, roli i shtetit shqiptar është të stimulojë investimet publike dhe private, duke mbrojtur, promovuar dhe siguruar rritjen afatgjatë të sektorit të pavarur. Duke fuqizuar aktorët e pavarur dhe duke nxitur bashkëpunimin e tyre me institucionet formale, strategjia synon të kultivojë një mjedis kulturor pluralist dhe të ripërtërishëm që mund të përshtatet me sfidat dhe mundësitë e reja.
Kjo përfshin mbështetjen e autonomisë, rritjen e ndërtimit të kapaciteteve, promovimin e mekanizmave të financimit të drejtë, përmirësimin e aksesit në infrastrukturë dhe mjete digjitale, si dhe lehtësimin e angazhimit me komunitetet në nivel lokal dhe ndërkombëtar”, thuhet rreth strategjisë së kulturës. Konsultimet publike për strategjinë kanë nisur më 25 maj dhe do të zgjasin deri më 22 qershor.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.