Studentët e programit “Erasmus” ankohen për Italinë
Italia është shumë e preferuar për studentët e huaj. Sidoqoftë për shumëkënd, një semestër do të mjaftonte për t’ia zbrazur xhepat. Seksioni italian i “Erasmus”-it i përshkon qiratë në vendin fqinj si një “zhvatje e pastër”. Një media gjermane ka investiguar problemin në fjalë dhe ka vënë në dukje disa prej pakënaqësive
Një mama po gatuan brumin për spagetit që do servirë duke buzëqeshur para kamerës. Më pas vjen një pjatë e ngrohtë makaronash në tavolinë, shoqëruar me një salcë domatesh të sapobërë, e bashkë me të, sigurisht, një gotë verë. Filmi me metrazh të shkurtër zbukurohet me muzikë nga Italia Jugore.
“Dhjetë gjëra që ne duam më shumë në Itali”, titullohet kështu filmi. Ndër to bëjnë pjesë makaronat, vera, më pas pica, proshutat parmixhane e kështu me radhë. Ahleem Mardessi nga Kuvajti, Kübra Tar nga Turqia, Goncalo Costa nga Spanja, Meli Krüger nga Gjermania dhe shumë të tjerë kanë klikuar “mi piace”.
Në faqen e Facebook-ut “Erasmus Roma 2015-2016″, shkruhet shumë rreth “Bella Italia”-s, por po aq edhe rreth “Brutta Italia”-s, rreth anëve negative të eksperiencave të përjetuara prej studentëve në atë vend. E para së gjithash, kjo lidhet me problemin e strehimit:
“Momentalisht po fle mbi një dyshek me ajër te një shoqe, pasi edhe pas gjashtë javësh nuk kam mundur të gjej një banesë për studentët”, shkruan Ida Malevici nga Austria nëFacebook. “Për 10 metër katrorë, ata na kërkojnë këtu në Romë 650 euro!”, ankohet Frederic Collin nga Franca.
Jo Blinden studion matematikë dhe është student i programit “Erasmus” në universitetin “La Sapienza” në Romë. Ai i njeh mirë anët e mira e të këqija të saj, e shkruan shpesh për to në Facebook:
“Unë vij nga SHBA dhe jam student i programeve të këmbimeve akademike ndërkombëtare dhe më janë dashur plot tre muaj për të gjetur një banesë të përshtatshme. Tashmë ndaj një dhomë të vogël me një student tjetër dhe paguaj për këtë çdo muaj 400 euro. Në Italinë Qendrore, ku unë kam qenë dikur student në Macerata, përjetova të njëjtën ndjesi negative”.
“Zhvatje e pastër”
Qiratë shumë të larta nuk kritikohen vetëm nga studentët: seksioni italian i programit “Erasmus”, i përshkruan ato si një “zhvatje e pastër”. Ministria italiane e Arsimit, para pak kohëve premtoi ta trajtonte me përparësi këtë problematikë negative – përpara se të prishet imazhi i Italisë si një vend i programit “Erasmus”.
Për ta rimëkëmbur këtë imazh, së shpejti do t’u vihet në ndihmë studentëve të programeve të këmbimit akademik: për shembull, në kërkimin e banesave me një çmim të pranueshëm.
Është planifikuar që studentët e programit “Erasmus”, të paguajnë qira më të ulëta.
Por se kur do bëhet realitet ky premtim i Ministrisë italiane të Arsimit, kjo akoma nuk dihet. Para pak kohëve u publikua një shkurtim fondesh nga Ministria e Arsimit. Megjithatë, Italia për shumë studentë të “Erasmus”-it vijon të duket sigurisht, një ëndërr.
Për shembull, Brigitte Müller nga Wiesbaden-i ( Gjermani ), që studion shkenca politike dhe është pra studente e programeve të këmbimeve akademike ndërkombëtare në Romë, thotë:
“Që erdha në Itali, kjo për mua ishte e parashkruar. Italia ka qenë gjithmonë një vend i ëndrrave për mua”.
Edhe politikisht, pasi Brigitte po specializohet për historinë e Partisë Komuniste të Italisë. Por shpejt, edhe Brigitte mësoi të njihte anët negative të Romës. Përveç çmimeve shumë të larta të qirave, biseda vërtitet shpesh te tejmbushja e stacioneve të metrosë së Romës dhe pranisë së madhe të hajdutëve të xhepave.
Problematike, para së gjithash është kur në universitet në Romë, të duhet të gjesh vende të lira në seminare, lëre pastaj të mendosh mungesën e theksuar të njohurive të anglishtes në rrethet akademike, të profesorëve e asistentëve të tyre.
Akuza: Akullore të falsifikuara
Dhe pastaj edhe historia me “akulloret false”. Ata që shkruajnë në Facebook, ankohen gjithnjë e më shumë për dyqane akulloresh, që shesin “gelato”, që shijon tërësisht në mënyrë artificiale, pasi prodhohet nga pako të gatshme dhe që shiten si të ishin bërë me dorë.
Ludi Macinek nga Polonia, që studion histori arti në Romë, nga njëra anë ndihet mirë në Itali, por nga ana tjetër thotë se:
“Sigurisht se kjo është mënyra më e mirë për të njohur të rinj të tjerë, por këtu në Itali, në shumë aspekte nuk janë fare të organizuar”.
Një kohë mjaft e mirë nga njëra anë, të ngrënët e të pirët, njerëzit e këndshëm, por ka probleme në rritje me logjistikën që i hasim përditë: ky është edhe thelbi i vërejtjeve të studentëve të “Erasmus”-it.
Marrë nga: Deutschlandfunk