Studentët e UP-së marshojnë në Prishtinë kundër aktgjykimit të Hagës
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës organizoi sot marshim paqësor nga Qendra e Studentëve drejt sheshit “Skënderbeu”, në shenjë kundërshtimi ndaj dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dolën sot në rrugë, në një marshim paqësor protestues në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Marshimi, i organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, nisi në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe u drejtua drejt sheshit “Skënderbeu”, ku në orën 12:00 ishin paralajmëruar fjalime. Marshimit iu bashkuan edhe studentë nga universitete të tjera publike dhe private.
Organizatorët bënë thirrje që marshi të jetë paqësor, u kërkuan pjesëmarrësve të mos vendosin maska dhe theksuan se synimi i aktivitetit ishte përcjellja e mesazheve për unitet, dinjitet dhe solidaritet.
Studentët kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili pritej të lexohej gjatë aktivitetit dhe të publikohej pas përfundimit të marshit.
Marshimi zhvillohet në ditën e gjashtë të protestave pas aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet – gjithsej 81 vjet. Mbrëmjen e kaluar, në natën e pestë të protestave, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu”, ku morën pjesë edhe familjarët e katër ish-krerëve të UÇK-së, me pankarta si “Jo në emrin tim”, “S’ka paqe pa drejtësi” dhe “Liria ka emër”.
Burimi: Katror.info



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.