“Stuxnet”, virusi që SHBA përdori për të shkatërruar armët bërthamore të Koresë Veriore
Një version i virusit kompjuterik “Stuxnet” është përdorur 5 vite më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sulmuar armët bërthamore të Koresë së Veriut, por në fund sulmi ka dështuar.
Lajmi është raportuar nga “Reuters” që i është referuar zyrtarëve të informuar mbi sulmin. Në raport thuhet se operacioni është kryer në kohën e njëjtë kur ndodhi edhe sulmi i suksesshëm “Stuxnet”, i cili sabotoi programin bërthamor të Iranit në vitin 2009 dhe 2010, duke shkatërruar një mijë apo më shumë centrifuga të pasurimit të uraniumit. Në atë kohë u tha se sulmi u organizua nga Shtetet e Bashkuara së bashku me Izraelin.
Një burim i inteligjencës amerikane për “Reuters” ka thënë se virusi do të aktivizohej në momentin kur do të haste në gjuhën koreane dhe do të ‘infektonte’ makineritë kryesore të programit bërthamor të Penianit. Por agjentët amerikanë nuk mundën të hynin në këto pajisje, tha një tjetër zyrtar i inteligjencës, i cili shtoi se sulmi u pengua nga fshehtësia e plotë e Koresë së Veriut, si dhe izolimi ekstrem i sistemeve të komunikimit.
Korea e Veriut ka disa nga rrjetet më të izoluara të komunikimit në botë. Mbajtja e një kompjuteri një shtëpi mundësohet vetëm pas një leje të dhënë nga policia, ndërsa aksesi në internet është i mundur vetëm për një elitë të vogël të shoqërisë.
Ndërsa e kundërta ndodh me iranianët, të cilët lundrojnë gjerësisht në internet dhe kanë pasur ndërveprime me kompani nga e gjithë bota.
Deri tani NSA nuk ka pranuar të komentojë rreth kësaj ngjarje.