Sulmi ndaj anijes me misër në Detin e Zi, Zelenskyy: Nevojitet presion për të rivendosur sigurinë globale
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dënuar sulmin ndaj një anijeje civile që transportonte misër në Detin e Zi, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë ndaj lundrimit civil. Sipas Zelenskyt, anija në pronësi turke u godit nga dy dronë rusë ndërsa ndodhej në ujëra neutrale.
Mediat e huaja raportojnë se anija Royad Mammadov u përfshi nga zjarri dhe më pas u fundos në zonën ekonomike ekskluzive të Rumanisë, rreth 30 milje detare në jug të Sfantu Gheorghe. Autoritetet rumune konfirmuan se dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën, ndërsa 11 të tjerë u shpëtuan. Sipas presidentit ukrainas, në bord ndodheshin shtetas të Azerbajxhanit dhe Indisë, ndërsa kapiteni i anijes ishte mes viktimave.
Një nga anëtarët e ekuipazhit u raportua fillimisht i zhdukur. Zelensky deklaroi se Ukraina ka propozuar masa për uljen e tensioneve dhe garantimin e sigurisë së lundrimit në Detin e Zi. Ai kërkoi gjithashtu presion ndërkombëtar për të mbrojtur transportin civil dhe sigurinë ushqimore. Rusia nuk ka dhënë një reagim specifik për incidentin. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi ndërkohë se forcat ruse kishin goditur dy anije mallrash në Detin e Zi, duke pretenduar se ato transportonin pajisje dhe furnizime ushtarake.
“Por Rusia vazhdimisht zgjedh terrorin dhe fundosjen e anijeve civile në vend të lundrimit normal detar. Nevojitet presion për të rivendosur sigurinë globale ushqimore. Dhe të gjithë ata që janë vërtet të interesuar për këtë duhet të ndihmojnë.”, tha Zelensky.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.