Superkompjuteri zbulon gjasat e Kosovës dhe Shqipërisë për kualifikim në Euro 2028
Sipas parashikimit të Football Meets Data, Kosova ka 33 për qind shanse për ta arritur Evropianin e parë në histori, ndërsa Shqipëria 40 për qind — të dyja përfaqësueset nën 50 për qind.
Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë më pak se 50 për qind gjasa për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian Euro 2028, i cili do të mbahet në Britani të Madhe dhe Irlandë. Siç njofton Telegrafi, superkompjuteri ka bërë parashikimin e parë pasi të gjitha kombëtaret u kompletuan në vazot përkatëse për shortin e kualifikimeve.
Sipas Football Meets Data, Kosova ka vetëm 33 për qind shanse për ta arritur kompeticionin e parë madhor në historinë e saj, ndërsa Shqipërisë i jepen 40 për qind. Edhe pse të dyja përfaqësueset gjenden në të njëjtën vazo, gjasat e Kuqezinjve janë pak më të larta se të Dardanëve.
Në krye të parashikimit janë Anglia dhe Spanja, të vetmet që e kanë praktikisht të siguruar kualifikimin, të ndjekura nga Franca me 99.5 për qind, Portugalia me 99, Belgjika me 98 dhe Gjermania me 97 për qind.
Këto gjasa pritet të ndryshojnë rrënjësisht kur të tërhiqet shorti për Euro 2028, ndërsa në parashikim nuk janë marrë parasysh rezultatet e mundshme në Ligën e Kombeve. Shorti i kualifikimeve mbahet më 6 dhjetor në Belfast, ndërsa ndeshjet kualifikuese zhvillohen gjatë vitit 2027, me 54 kombëtare në 12 grupe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.