“Skandal në familjen Iglesias, babai i Enrique Iglesias nën hetim për abuzim seksual”

Këngëtari i njohur spanjoll Julio Iglesias, babai i Enrique Iglesias, po përballet me një hetim penal në Spanjë, pas akuzave të rënda të ngritura nga dy ish-punonjëse të tij. Artisti i ka mohuar kategorikisht pretendimet.
Një gjykatë në Spanjë ka hapur një hetim ndaj këngëtarit të famshëm Julio Iglesias, 83 vjeç, pas një denoncimi të bërë nga dy gra që kanë punuar më parë në pronat e tij në Karaibe.
Dy ish-punonjëset e akuzojnë artistin për vepra të dyshuara kundër lirisë seksuale, sulm fizik dhe trajtim poshtërues gjatë periudhës kur punonin në rezidencat e tij në Republikën Dominikane dhe Bahamas, në vitin 2021.
Sipas dokumenteve gjyqësore, gjyqtari Antonio Piña ka vendosur të nisë procedurat hetimore, duke vlerësuar se materialet dhe dëshmitë e paraqitura përbëjnë bazë të mjaftueshme për të vijuar shqyrtimin e çështjes. Megjithatë, ai ka theksuar se hapja e hetimit nuk përbën një vlerësim përfundimtar mbi vërtetësinë e akuzave.
Çfarë pretendojnë dy ish-punonjëset?
Denoncimi është paraqitur nëpërmjet organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Women’s Link Worldwide. Njëra prej grave, e cila kishte punuar si punonjëse shtëpie, pretendon se këngëtari e thërriste vazhdimisht në dhomën e tij dhe e detyronte të kryente veprime seksuale kundër dëshirës së saj.
Ndërsa gruaja tjetër, e cila punonte si fizioterapiste, pretendon se Iglesias e kishte puthur dhe prekur në pjesë intime pa pëlqimin e saj.
Të dyja kanë përshkruar një ambient pune të karakterizuar, sipas pretendimeve të tyre, nga presioni, kërcënimet, kontrolli dhe sjelljet poshtëruese.
Në dokumentacionin e paraqitur në gjykatë përmendet edhe një fotografi ku njëra prej grave shfaqet me shenja dëmtimi në trup, të cilat gjyqtari i ka konsideruar si elemente që meritojnë të hetohen.
Nga ana e tij, këngëtari i ka cilësuar akuzat si plotësisht të pavërteta. Në një reagim të publikuar më herët në rrjetet sociale, Iglesias deklaroi se nuk ka abuzuar, detyruar apo treguar mungesë respekti ndaj asnjë gruaje.
Ai u shpreh gjithashtu se pretendimet i kanë shkaktuar dhimbje të madhe dhe se do të mbrojë dinjitetin e tij përballë këtyre akuzave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.