Tabaku i bashkohet protestës te Sheshi Skënderbej: Shqipëria ndodhet në udhëkryq
Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe nuk ka ditë më të mirë se dita e pavarësisë për të kërkuar një vend më të mirë”. Kështu u shpreh për A2 CNN deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një lidhje nga shehsi Skënderbej me Ditarin e Fundjavës me Denisa Pashollin.
Ajo theksoi se forca e protestës duhet të tregohet përmes numrit të pjesëmarrësve dhe argumenteve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të tjerë t’i bashkohen tubimit.
“Nuk ka ditë më të bukur që të kërkosh për një Shqipëri më të mirë se dita e pavarësisë dhe dita e çlirimit. Kam mbështetur protestat që në maj, kam mbështetur edhe protestat e studentëve. Janë takuar që në orën 10:00 këtu edhe pastaj do lëvizin në kryeministri, do lëvizin tek Ministria e Arsimit. ka disa disa plane. Shqipëria sot ndodhet në një udhëkryq, për sa i përket një sistemi që këto të rinj, këto të reja, këto qytetarë duan ta ndryshojnë dhe unë besoj që në një protestë kanë rëndësi dy gjëra. E para për mua protesta të jetë paqësore dhe ta tregojmë forcën tonë te numrat dhe tek argumenti që kemi. Dhe së dyti slogani; Shqipëria nuk shitet është më shumë se aktual sot. Protestuesit do vazhdojnë të bashkohen edhe gjatë ditës. Një grup tjetër do takohet në orën 12:00 te kryeministria, kështu që jemi vetëm momentet e para. Në qoftë se mundem që ta përdor mundësinë për t’i bërë thirrje kujdo që nuk është bashkuar dot akoma që të bashkohet këtu në shesh, ka shumë rëndësi që të jemi në mbështetje të studentëve. Ka shumë rëndësi, ashtu siç u diskutua dhe gjatë kësaj jave, që kjo protestë ta përmirësojë Shqipërinë edhe shërben me të thënë të drejtën edhe për të ndërgjegjësuar, por edhe për të treguar imazhin e një Shqipërie e cila është ndryshe nga ajo që qeveria paraqet”, u shpreh Tabaku për A2 CNN.
Deputetja demokrate bëri të ditur se sot në shesh janë përfaqësues të opozitës dhe Partisë Demokratike.
Protesta kombëtare antiqeveritare në sheshin “Skënderbej” vijon me thirrjet për revolucion, brohorima dhe tupana. Një grup të rinjsh janë ngjitur edhe te “Kali i Skënderbeut”, prej ku kanë përcjellë mesazhe përmes thirrjeve dhe videove në rrjetet sociale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.