Tahiri, pikëpyetje të reja! Të dhënat e rastit të dytë rëndojnë edhe mbi qeverinë
Ngjarja e Elbasanit ngre disa pikëpyetje të forta dhe që vënë në pozitë të vështirë, pikë së pari policinë. Ajo vërtet publikoi lajmin, por në deklaratën për shtyp ajo nuk flet për dy dokumentet e ish-ministrit të Brendshëm.
Me qëllim apo jo, këtë duhet ta verifikojë Prokuroria. E treta, përse Policia ka ndaluar personin në fjalë? A ka pasur të dhëna apo ka qenë rastësore? Nëse ka pasur të dhëna dhe sërish kryhen veprimet gabim, kjo e rëndon edhe më shumë punën e policisë.
Sigurisht që kjo ngjarje ka edhe pasoja politike. Kjo ndihet në faktin që ky erdhi si denoncim politik nga opozita, së cilës i besoi qytetari për të dhënë informacionin. Por jo vetëm kaq.
Kur ende nuk ishte mbyllur zhurma politike e dosjes “Habilaj”, duke se ky kapitull i ri ku përmendet ish-ministri i Brendshëm vë në pozitë jokomode mazhorancën.
Së pari për mënyrën sesi policia menaxhoi ngjarjen, ajo lë perceptimin se mund të ketë qenë nën një trysni politike. E nëse në rastin “Habilaj” mazhoranca mund të argumentonte se bëhej fjalë për të shkuarën, rasti i Elbasanit implikon të tashmen, kur zoti Tahiri është prej javësh person nën hetim dhe mazhoranca formalisht u distancua prej tij.
Së dyti, nëse në rastin “Habilaj” të dhënat ndaj Tahirit janë deri tani të debatueshme, prania e dokumenteve personale të ish-ministrit të Brendshëm në makinën e një personi që kapet me 800 mijë euro të padeklaruara, dhe që në biznesin e tij ka vetëm rindërtim komisariatesh, i bën këto të dhëna shumë më shqetësuese sesa ato në rastin “Habilaj”.