Politika

Tahiri: Visho Ajazi ushtar i Berishës! Turp që është ambasador në NATO

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u përplas me analistët Andi Bushati e Armand Shkullaku këtë të enjte në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel.
Duke iu referuar raporteve të palës italiane, Bushati akuzoi Tahirin se gjatë drejtimit të Ministrisë së Brendshme kanabizoi vendin. Tahiri mohoi akuzën.

“Shqipëria ka qenë e mbushur me kanabis! Ju keni gënjyer, ose keni mbyllur sytë. Nuk flasim vetëm për Lazaratin, kështu ka qenë Kruja, Berati, Malësia e Madhe, Tirana po ashtu.Jam i hapur për ballafaqim shifrash me ty dhe këdo. Në katër vite që kam qenë unë ministër janë më pak se një vit i Sali Berishës”, deklaroi Tahiri.

Bushati iu referua edhe mediave ndërkombëtare dhe disa shkrime në to në lidhje me kultivimin e hashashit.

“Mediat italiane, gjermane e franceze kanë shkruar që në Shqipëri po bëhet nami me kultivimin e hashashit”, tha Bushati.

Tahiri e mohoi këtë.

“Në mediat e huaja e dimë të gjithë sesi blihen artikujt se janë artikuj me pagesë”, tha ai.

Sa u takon akuzave për ish-oficerin e Policisë, Dritan Zagani, Tahiri tha se po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me deklaratat e tij.

Por ne emision doli në pah edhe emri i ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika.

Armand Shkullaku: Ti u shkarkove dhe menjëherë sapo ti u shkarkove, dolën në dritë raportet që provonin të gjithë atë që përflitej për trafikun e drogës.

Saimir Tahiri: Cilat raporte?

Armand Shkullaku: Raportin e Visho Ajazit.

Saimir Tahiri: Visho Ajazit, atij ushtarit të Berishës?!

Armand Shkullaku: Atij ushtarit të Berishës që sot është ambasadori juaj në NATO.

Saimir Tahiri: Turp që është ambasador në NATO.

Andi Bushati: Dallimi mes jush dhe Sali Berishës është që ai të vinte kriminelët dhe të vrisnin, ndërsa ju jeni vegël e kriminelëve. Nuk e di kush është më keq, njerëzit të gjykojnë. Unë e përbuz sistemin e Berishës, por ju jeni zarat e kriminelëve.

Visho Ajazi-Lika u dorëhoq papritur nga kreu i SHISH në fund të tetorit të vitit të kaluar. Pak ditë pas kësaj dorëheqjeje, ai u propozua për Ambasador në NATO nga Qeveria, propozim që u miratua nga Presidenti Meta.

 

Top Channel

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button