Tahseen Sayed: Reformat e qeverisë, kusht për rritjen ekonomike
Drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed deklaroi se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare mbeten kusht për rritjen ekonomike të vendit.
Në një intervistë televizive të martën në mbrëmje, Sayed tha se “borxhi publik përbën thelbin e konsolidimit fiskal dhe duhet të jetë në themel të politikës fiskale për vitin 2015 dhe 2016, e cila do të kishte sukses nëse qeveria do të shlyente detyrimet ndaj biznesit. Një konsolidim fiskal që do të çojë në rritje të të ardhurave buxhetore, do ta përmirësonte gjendjen e ekonomisë, si rrjedhim do të rriste punësimin, pasi do të zhvillonte sektorin privat dhe investimet e tij. Ulja e varfërisë ka lidhje të drejtpërdrejtë me punësimin”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar situatës së përmbytjeve në jug të vendit, Drejtoresha Sayed tha se, nuk do të kenë impakt të drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.
“Për fat të mirë këto përmbytje nuk ishin të një shkalle të jashtëzakonshme. Ato do të kenë ndikim në zhvillimin e rajonit ku ndodhen, por mendohet se për zhvillimin ekonomik në përgjithësi, ndikimi do të jetë i kufizuar”.
Për Drejtoreshën e Bankës Botërore sfidat kryesore gjatë vitit 2015 do të jenë vazhdimi i përpjekjeve për ta rimëkëmbur ekonominë në kuadrin makroekonomik, që është baza e politikës fiskale dhe konsolidimi fiskal.