Takim mes zyrtarëve izraelitë dhe të Katarit mbi mundësinë e një armëpushimi me Hamasin
David Barnea, drejtor i agjencisë së zbulimit izraelit Mosad u takua me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, të premten vonë në Evropë, sipas një burimi që ka njohuri mbi çështjen, ndërsa vëmendja është kthyer tek mundësia për një tjetër armëpushim në Gazë dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Izraeli kreu sulme ajrore mbi objektivat në të gjithë Gazën të shtunën, por dy burime egjiptiane të sigurisë thanë se zyrtarët izraelitë tani dukeshin më të gatshëm për të punuar drejt një armëpushimi dhe një shkëmbimi të të burgosurve palestinezë me pengjet që mban Hamasi në Gazë.
Takimi mes zotit David Barnea dhe kryeministrit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani duket se është i i pari midis zyrtarëve të lartë nga Izraeli dhe Katari. Katari ka luajtur një rol ndërmjetës.
Në një tjetër shenjë të një përparimi të mundshëm, media izraelite njoftoi se kryeministri Benjamin Netanyahu do të mblidhte kabinetin e sigurisë dhe do të jepte një deklaratë televizive të shtunën në mbrëmje. Zyra e zotit Netanyahu nuk e konfirmoi menjëherë një njoftim të tillë.
Të shtunën gazeta amerikane “Wall Street Journal” njoftoi se takimi mes zotit Barnea dhe kryeinistrit Al Thani do të mbahej në Oslo, të Novergjisë.
Pengesa të mëdha kanë frenuar rifillimin e negociatave për një marrëveshje të re për lirimin e pengjeve, përfshirë mosmarrëveshjet e mundshme brenda Hamasit, njoftoi gazeta, duke cituar njerëz që kanë njohuri për bisedimet.
Gjatë një armëpushimi njëjavor në fund të nëntorit, Hamasi liroi më shumë se 100 gra, fëmijë dhe të huaj që mbante peng në Gazë në këmbim të lirimit nga Izraeli të 240 grave dhe adoleshentëve.