Takim sekret në Turqi! Siria dhe Hezbollahu zhvillojnë bisedime për uljen e tensioneve
Përfaqësues të qeverisë së re siriane dhe grupit libanez Hezbollah kanë zhvilluar një takim të fshehtë në Turqi, në përpjekje për të ulur tensionet mes dy palëve. Lajmi bëhet i ditur nga Reuters, duke iu referuar gjashtë burimeve që kanë dijeni për bisedimet.
Ky është kontakti i parë i njohur ballë për ballë mes Damaskut dhe Hezbollahut që prej rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024. Takimi është zhvilluar gjatë muajit të kaluar dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësues të Hezbollahut, zyrtarë të inteligjencës siriane dhe përfaqësues të ministrisë së Jashtme. Sipas burimeve, takimi u organizua me ndërmjetësimin e shërbimeve turke të sigurisë dhe inteligjencës, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Hezbollahu ishte një prej aleatëve kryesorë të regjimit të Bashar al-Assad dhe gjatë luftës civile dërgoi luftëtarë në Siri për të mbështetur forcat qeveritare.
Pas rrëzimit të Assadit dhe ardhjes në pushtet të forcave të reja, marrëdhëniet mes Damaskut dhe Hezbollahut u përkeqësuan ndjeshëm. Autoritetet siriane e kanë akuzuar grupin libanez për transportimin e armëve përmes territorit sirian. Bisedimet e zhvilluara në Turqi u fokusuan kryesisht në çështjet e sigurisë dhe në mënyrën se si mund të reduktohen tensionet. Sipas disa prej burimeve të Reuters, takimi ishte pozitiv dhe palët shfaqën gatishmëri për të shmangur përplasjet e drejtpërdrejta.
Një zyrtar sirian tha se të dyja palët ranë dakord se nuk kishin armiqësi ndaj njëra-tjetrës. Sipas tij, Siria e siguroi Hezbollahun se nuk kishte synim të ndërhynte ushtarakisht në Liban për ta çarmatosur organizatën. Në të njëjtën kohë, Damasku kërkoi nga Hezbollahu të ndihmonte në ndalimin e kontrabandës së armëve përmes kufirit dhe në eliminimin e strukturave të mbetura të grupit në territorin sirian, veçanërisht në jug të vendit. Këto zhvillime vijnë pasi autoritetet siriane njoftuan arrestimin e një personi të dyshuar si pjesëtar i Hezbollahut, i cili, sipas tyre, po përgatitej të kryente një sulm me raketa në jug të Sirisë. Hezbollahu i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka prani ushtarake apo sigurie në territorin sirian. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, bisedimet kanë sjellë përparim në disa çështje të sigurisë, por nuk është arritur ende një marrëveshje përfundimtare.
Hezbollahu, sipas një burimi libanez të sigurisë, kërkon të sigurojë atë që e konsideron si “prapavijën” e tij, për shkak të shqetësimeve se Siria mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër tij në Liban. Nga ana tjetër, kërkesat e Damaskut për ndërprerjen e trafikut të armëve dhe shpërbërjen e strukturave të Hezbollahut në Siri nuk morën një përgjigje të qartë. Të dyja palët, megjithatë, thuhet se janë zotuar të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të njëra-tjetrës. Kontaktet përmes Turqisë kishin nisur rreth dy muaj përpara takimit të shtatorit, sipas një prej burimeve. Ankaraja po përpiqet të luajë një rol të rëndësishëm në stabilizimin dhe rindërtimin e Sirisë, ndërsa presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar që Turqia të ketë rol ndërmjetësues në çështjet e sigurisë në rajon.
Tre burime thanë se ishte pikërisht Turqia ajo që nxiti zhvillimin e takimit, duke synuar të përfshihej drejtpërdrejt në përpjekjet për uljen e tensioneve mes Damaskut dhe Hezbollahut. Qeveria siriane kishte shprehur më herët gatishmëri për dialog me Hezbollahun. Në korrik, ministri i Jashtëm sirian Assad al-Shibani deklaroi se Damasku ishte i hapur për një takim, ndërsa një muaj më vonë, lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi nuk kishte kundërshtim për të zhvilluar bisedime me udhëheqjen siriane.
Një element i rëndësishëm i takimit ishte mungesa e Iranit, mbështetësit kryesor të Hezbollahut. Sipas burimit libanez të sigurisë, Hezbollahu mori pjesë në bisedime me dijeninë e Teheranit, por autoritetet iraniane duket se nuk ishin të kënaqura që nuk u përfshinë drejtpërdrejt në proces. Ndërkohë, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa raportohet se nuk ka treguar gatishmëri për të rivendosur në këtë fazë marrëdhënie të drejtpërdrejta me Iranin. Sipas burimeve, kjo situatë është një prej arsyeve që bisedimet nuk prodhuan një marrëveshje përfundimtare dhe që takimi u mbajt larg vëmendjes publike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.