Bota

Takimi i G7 dhe angazhimet kryesore të Grupit

g777Sanksionet ndaj Rusisë dhe çështja e Ukrainës

Udhëheqësit e shtatë prej vendeve më të fuqishme të botës ranë dakord të hënën që t’i ashpërsonin sanksionet ndaj Rusisë, nëse është e nevojshme, si mënyrë për të bërë trysni për një zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainën Lindore.

Në takimin e Grupit të Shtatëshes, udhëheqësit thanë se sanksionet aktuale do të vazhdojnë të mbeten në fuqi deri kur Rusia të ndihmojë për të zbatuar plotësisht një plan paqeje për të cilin u ra dakord në shkurt në Minsk të Bjellorusisë. Kjo tregon se anëtarët evropianë të grupit do të mbështesin zgjerimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian në takimin e tyre të nivelit të lartë këtë muaj.

Në komunikatën e G7-ës thuhej se “ne jemi të gatshëm që të marrim masa të tjera shtrënguese që të rritet kostoja ndaj Rusisë nëse veprimet e saj e bëjnë të detyrueshme një gjë të tillë”.

Një ofensivë e shkurtër nga separatistët e mbështetur nga Rusia javën e kaluar, shkaktojnë shqetësime të reja lidhur me sinqeritetin e angazhimit rus për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama tha në një konferencë për shtyp, në mbyllje të takimit në Gjermani se Grupi i Shtatëshes vazhdon të jetë i bashkuar në mbështetjen për Ukrainën dhe se do të vazhdojë të japë mbështetje ekonomike dhe ndihmë teknike për të cilën ka nevojë vendi ndërsa vazhdon reformat kritike për të transformuar ekonominë dhe forcon demokraci.

“Siç pamë përsëri ditët e fundit, forcat ruse vazhdojnë të veprojnë në Ukrainë, duke shkelur sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës. Është viti i dytë radhas që Grupi i Shtatëshes takohet pa Rusinë, një shembull tjetër i izolimit. Çdo anëtar i G7-ës vazhdon të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Rusisë si reagim ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës”.

Presidenti Obama përmendi pasojat ekonomike të sanksioneve ndaj ekonomisë ruse dhe tha se i takon presidentit Vladimir Putin ta ndryshojë gjendjen. Zoti Obama tha se aktualisht po zhvilliohen diskutime për hapa të mëtejshme nëse Rusia instensifikon përfshirjen në Ukrainë, por se këto diskutime janë ende në nivelin teknik.

Ai tha se i takon presidentit rus Vladimir Putin të vendosë nëse do të “vazhdojë të shkatërrojë ekonominë e vendit të tij dhe izolimin e Rusisë në ndjekje të dëshirës së gabuar për të rikrijuar lavdinë e Perandorisë Sovjetike”.

Për vazhdimësinë e sanksioneve, në varësi të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit, Presidenti Obama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kishin rënë dakord edhe në një takim dypalësh të dielën.

Kancelarja Merkel i tha televizionit gjerman ARD se Moska duhet të mbetet jashtë “komunitetit të vlerave” të G7-ës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte ftuar të merrte pjesë në takimin e nivelit të lartë për të dytin vit radhaz. Ai u përjashtua për herë të parë vitin e kaluar, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë.

Por Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën se e kishte përshkallëzoi situatën para takimit në mënyrë që të vazhdojnë të jenë në fuqi sanksionet ndaj Rusisë.

“Në këtë situatë, duke marrë një qëndrim ku sanksionet kundër Rusisë lidhen me zbatimin e marrëveshjes së Minskit vetëm nga Rusia, partnerët tanë perëndimorë u bënë pengje të qeverisë aktuale të Ukrainës”.

Kriza e Greqisë dhe skandali i FIFA-s

Në konferencën e sotme për shtyp, presidenti Obama foli edhe për ekonominë tha se G7-a kishte rënë dakord se rruga më e mirë për rimëkëmbje është rritja ekonomike dhe shtimi i vendeve të punës.  Kriza e Greqisë ishte një nga temat kryesore në takimin dyditor të G7-së dhe Presidenti Obama tha se vendit do t’i duhet të marrë vendime të vështira dhe të përqafojnë reformat e vështira ekonomike për të siguruar një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë.

“Në Evropë, ne mbështesim përpjekjet për të gjetur rrugët që i japin mundësi Greqisë që të ndërmarrë reformat vendimtare dhe t’i rikthehet rritjes ekonomike në një Eurozonë të fortë, të qëndrueshme dhe në rritje”.

Ai shtoi se gjithsesi edhe huadhënësit ndërkombëtarë duhet ta pranojnë se Greqia përballet me sfida të jashtëzakonshme dhe duhet të tregojnë fleksibilitet për të arritur marrëveshjen.

Presidenti Obama iu përgjigj edhe një pyetjeje për FIFA-n duke thënë se nuk mund të fliste për një çështje që është ende nën hetim, por shtoi se futbolli është një lojë, një biznes masiv por edhe burim i një krenarie të jashtëzakonshme, prandaj njerëzit duan të sigurohen që të funksionojë me integritet.

Terrorizmi dhe kriza e refugjatëve

Udhëheqësit e G7-ës disktuan gjithashtu edhe për kërcënimet e grupeve ekstremiste si Shteti Islamik dhe Boko Haram, në takimet me udhëheqës nga Iraku, Tunizia dhe Nigeria.

Ata u bënë gjithashtu të gjitha vendeve që të luftojnë trafikun njerëzor që po krijon një krizë refugjatësh në disa nga vendet mesdhetare të Evropës dhe për të punuar për të ngritur një qeveri kombëtare në Libi për të ndihmuar në frenimin e valës së refugjatëve.

Angazhim për zgjidhjet e sfidave afatgjata  

Pjesa më e madhe e komunikatës i ishte kushtuar çështjeve si ndryshimet klimatike, shëndeti global dhe rritja ekonomike. Udhëheqësit u zotuan të punojnë drejt finalizimit të marrëveshjeve të tregëtisë që ata thonë se do të kontribuojë tek rritja e qëndrueshme.

Ata u angazhuan të rrisin ndihmën për vendet në zhvillim dhe të ndjekin objektiva të rrepta për pakësimin e sasisë së gazit të çliruar për t’i plotësuar në konferencën për ndryshimet klimatike në Francë në Dhjetor. Ata duan që çdo vit të shpenzohen 100 miliardë dollarë çdo vit nga qeveritë dhe bizneset për të pakësuar çlirimin e gazeve të dëmshme.

Ata kanë në plan të rrisin aftësinë e vendeve afrikane për burime energjie të ripërtëritshme. Po ashtu vendet e G7-së u angazhuan të punojnë me 60 vende për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe për të shmangur epidemi si ajo e Ebolës në Afrikën Perëndimore.

Grupi i Shtatëshes ra gjithashtu dakord që të nxjerrë nga uria dhe kequshqyerja 500 milionë vetë deri në vitin 2030. Dhe mbështetur kryesisht në një iniciativë të organzatores së takimit, kancelares gjermane Angela Merkel, udhëheqësit premtuan të zgjerojnë mundësitë për gratë që të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e duhura për të mbështetur familjet e tyre.

Ndikimi i qëndrueshëm i G7-ës

Ata që nuk e ndjekin nga afër G7-ën shpesh mendojnë se është vështirë të zbatohet lista e gjatë e premtimeve të Grupit, por Grupi i Kërkimeve të G8-ës thotë se udhëheqësit e këtyre vendeve kanë prirjen të plotësojnë rreth 75 për qind të premtimeve të tyre dhe vitin që kaloi miratuan 82 për qind.

“G7 ende kontrollon pjesën më dërrmuese të kapaciteteve që sjellin ndryshim. Në përmasa dërrmuese, janë monedhat e G7ës që përdoren çdo minutë të ditës në transaksionet dhe tregëtinë ndërkombëtare. Dhe kur duhet të angazhohesh në ndërhyrje ushtarake për të ndalur agresionin, aneksimin, për të ndalur genocidin në Evropë apo diku tjetër, është G7-a që i bën këto”, thotë drejtori i këtij grupi John Kirton i Universitetit të Torontos.

Presidenti Obama tha se G7-a ekziston për të “ngritur zërin për parimet themelore që ne ndajmë si demokraci, për liri, paqe, për të drejtat e vendeve dhe popujve për të vendosur për fatin e tyre, për të drejtat universale të njeriut dhe dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”.

Në takimin dyditor morën pjesë kancelarja Merkel, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Kryeministri japonez Shinzo Abe, Kryeministri kanadez, Stephen Harper, Presidenti Obama, Presidenti francez Francois Hollande, kryeministri britanik David Cameron, kryeministri italian, Matteo Renzi dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button