Takimi me Ruçin, Doshi: Është shtylla e PS. Nesër mund të takoj edhe Ramën, jam deputet
Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi teksa ka dalë nga ambientet e Gjykatës së lartë, ka komentuar takimin me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, të cilin e ka cilësuar mik, ndërsa ka shprehur konsideratat më të larta për të duke e qujatur shtylla e PS.
I pyetur nga gazetarët për qëllimin e këtij takimi, Doshi është shprehur se nuk ka asgjë për t’u habitur, duke qenë se ai është ende deputet.
“Nuk ka asgjë për t’u habitur. Nesër mund të takoj edhe Ramën si kryeministër, jam deputet.
Unë Ruçin e kam mik, ai nuk është burrë që e komandon kush, as Rama, as Meta, është shtylla e PS”, tha Doshi.
I pyetur lidhur me rritjen e LSI në zgjedhjet e fundit lokale, Doshi u shpreh se nuk ndihet fare i shqetësuar nga kjo, pasi sipas tij votat e LSI janë të blera dhe nuk shënojnë prirjen e vërtetë të politikës në vend.
Ai solli si shembull rastin e Shkodrës, e cila sipas dihet se nuk është e majtë dhe nuk e votoi LSI-në, edhe pse Meta mori përsipër që ta fitonte këtë bashki.