Tarifa e transportit urban, Bashkia-Këshillit Bashkiak: Cmimi i biletës nuk ndryshon
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, e parashikuar të nisë në orën 18:00, pjesë e 8 projektvendimeve që janë në rendin e ditës është edhe projektvendimi “Për miratimin e tarifave të transportit qytetas”.
Por në këtë draft që Bashkia ka dërguar në Këshill, nuk ka kërkuar rritje të çmimit të biletës nga 30 lekë që është aktualisht. Por e ka dërguar vetëm për procedurë, pasi kështu parashikohet në vendimin e qeverisë, i cili në fund të vitit që shkoi ua kaloi vendorëve kompetencën për miratimin e tarifave të transportit.
Por në draft Bashkia ngre disa problematika si dhe masa që duhet të marrë qeveria për të mos rënduar xhepat e qytetarëve, por të bëjë subvencionimin e kategorive që udhëtojnë falas apo të ulë akcizën për karburantin për operatorët e transportit urban.
BASHKIA-KËSHILLIT BASHKIAK: CMIMI I BILETËS NUK NDRYSHON
Edhe pse greva e transportit urban vijon, Bashkia e Tiranës i ka propozuar Këshillit Bashkiak ruajtjen e strukturës aktuale të çmimit të biletës, pra mos ndryshim të saj.
Përmes njoftimit për shtyp, Bashkia e Tiranës shprehet se,
“duke marrë parasysh situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi, rritjen e taksave dhe çmimeve nuk mund të ngarkojë qytetarët me kosto shtesë të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në përkeqësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Duke njohur dhe vlerësuar vështirësitë e operatorëve të transportit publik qytetës, për sa i përket rritjes së kostove për njësi-shërbimi, Bashkia e Tiranës gjykon që zgjidhja e këtyre problemeve duhet të adresohet duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme të cilat në bazë të ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar janë kompetencë e qeverisë:
• Subvencionimi social për kategoritë që sipas ligjit përfitojnë transport publik falas;
• Ulja e TVSH për shërbimin e transportit publik;
• Heqja e akcizës së naftës për transportin urban qytetas
Bashkia e Tiranës u kërkon operatorëve të transportit publik të ndërmarrin masa të menjëhershme për rikthimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Në të kundërt, ne do të ndërmarrim masat, siç parashikohen në marrëveshjen kontraktuale”.