Ekonomia

Task-Forca e Energjisë: Humbjet, 7.3% më pak

Ministria e Energjisë: U ndërprenë 483 mijë lidhje dhe u kallëzuan penalisht 935 vetë

Humbjet – Niveli i humbjeve të energjisë elektrike në shtatëmujorin e vitit 2014 zbriti në 38.4% nga 45.7% që ishte në 2013-n

Nga Zamir Alushi  

Sahatet1Niveli mesatar i humbjeve të energjisë elektrike në shtatëmujorin e vitit 2014 zbriti në 38.4 për qind nga 45.7 që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pra, diferenca në këtë periudhë krahasuar me vitin 2013, për humbjet në rrjet është 7.3% të sasisë së energjisë së disponueshme për konsum. Këto të dhëna u njoftuan dje nga Ministria e Energjisë dhe Task-Forca e ngritur për këtë qëllim.

Lidhjet e paligjshme

Sipas të dhënave, për shkak të mospagimit të detyrimeve, Task-Forca u ka ndërprerë energjinë 483,940 konsumatorëve debitorë ose të lidhjeve të paligjshme. Shumica e debitorëve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), janë nga Qarku i Tiranës, ku shifra e rasteve të ndërprerjeve ka arritur në 154,425. Pas kryeqytetit renditen Elbasani me 80,401 raste, Durrësi 48,707, Shkodra 40,618, Fieri 29,757, Vlora 28,320, Dibra 20,173, Lezha 20,089, Korça 19,970, Berati 18,057, Gjirokastra 16,821 dhe Kukësi me 6,602 raste të ndëshkuara me këtë masë. Në këtë kuadër ka pasur 935 raste denoncimi në prokurori në të gjithë vendin, nga të cilat pjesa më e madhe në Shkodër, ku janë kallëzuar 281 persona, ndërsa në vend të dytë vjen Fieri me 129 ndjekje penale, më pas Durrësi me 105 raste të tilla.

Të ardhurat

Veç humbjeve, OSHEE ka përmirësuar edhe tregues të tjerë, sidomos të ardhurat e mbledhura për energjinë e faturuar. Të ardhurat e mbledhura nga kompania e shpërndarjes për shtatëmujorin e këtij viti arritën në 266 milionë dollarë ose 45 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. Në këtë periudhë të vitit 2013 ishin arkëtuar 22,132,074,505 lekë.

Task-Forca

Ministria thotë se përmirësimi i treguesve është rezultat i punës në terren që drejtohet nga Task-Forca për energjinë. Task-Forca për energjinë u krijua në janar të këtij viti dhe drejtohet nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Në përbërjen e saj janë disa ministra të qeverisë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kjo strukturë u ngrit për të ndalur vjedhjet e energjisë elektrike dhe për të rritur nivelin e arkëtimeve. Sipas shifrave zyrtare të fillimvitit, 91 për qind e kontratave të konsumatorëve familjarë dhe 88 për qind e kontratave të bizneseve, rezultonin me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Qeveria ka premtuar ndërhyrje për rimëkëmbjen e sistemit energjetik. Pak ditë më parë, ajo miratoi marrëveshjen prej 150 milionë dollarë të financimit me Bankën Botërore, që do të përdoren për investime në energji. Por në të njëjtën ditë ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, paralajmëroi se çmimi i energjisë do të rritet vitin që vjen, por garantoi mbrojtjen e konsumatorëve familjarë në nevojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button