Tatimet, 9 shërbime kalojnë on-line, vërtetimet për bizneset e individët pa asnjë kosto
Listës së shërbimeve publike që mund të merren në rrugë elektronike tashmë pritet t’i bashkëngjiten edhe 9 shërbime të reja. Portali qeveritar “e-albania” paralajmëron se shumë shpejt do të mundësohet ofrimi on-line i 9 shërbimeve që aktualisht merren në sportelet e Drejtorisë së Tatimeve. Në listën e këtyre shërbimeve janë edhe marrja e vërtetimeve për bzineset dhe individët, pa kosto.
“Institucione të linjës ndërveprojnë prej vitesh në portal, duke e shumëfishuar numrin e mundësive të komunikimit online me biznesin. Pas analizimit të situatës së krijuar pranë sporteleve fizike dhe në bazë të kërkesave të vazhdueshme, përmes investimit të AKSHI-t për shtimin e e-shërbimeve në portal, do të mundësohet shumë shpejt në portalin qeveritar e-albania ofrimi i 9 shërbimeve të reja elektronike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve” njofton “e-albania”.
Disa nga shërbimet e reja:
Shumë shpejt tek e-Albania do të jetë aktiv shërbimi elektronik që u vjen në ndihmë tatimpaguesve të aplikojnë për vërtetim për pagimin e kontributeve nga subjekti. Ky shërbim do të ofrohet menjëherë elektronikisht me vulë dixhitale, duke eliminuar tërësisht nevojën për paraqitje fizike pranë sporteleve të Drejtorive Rajonale të Tatimeve dhe duke garantuar një dokument me vlerë të plotë ligjore.
Një tjetër shërbim do t’u vijë në ndihmë të interesuarve është vërtetimi i statusit të biznesit (nëse është aktiv apo pasiv, përfshirë edhe datën), i cili po ashtu do të lehtësojë gjithë procedurën e përfitimit të këtij dokumenti, falë implementimit në të të vulës dixhitale.
Së bashku me vërtetimet e mësipërme edhe vërtetimi i xhiros për tre vitet e fundit u nevojitet bizneseve për përmbushjen e një sërë kërkesash të tjera proceduriale dhe gjen zbatim të gjerë si dokument shoqërues për një numër të madh shërbimesh të tjera.
Me kthimin e këtyre shërbimeve online, subjektet e interesuara do të ndihen më të lehtësuara, pasi deri më sot, iu është dashur që me anë të përfaqësuesve të tyre të adresohen fizikisht pranë zyrave rajonale të DPT-së.
Aktualisht në portalin e-Albania, shërbimet kushtuar biznesit zënë një pjesë të konsiderueshme. Janë 719 të tilla, të cilat vijnë në ndihmë 24/24 në çdo ditë të javës, me anë të sporteleve virtuale.