Të burgosurit të zgjedhin vetë spitalin, deputetja Sara Mila depoziton në Kuvend projektligjin
Projektligji i deputetes socialiste Sara Mila u jep të dënuarve dhe të paraburgosurve të drejtën të zgjedhin vetë mjekun dhe spitalin ku do të vizitohen, kur shërbimi nuk ofrohet në burg, duke mbuluar vetë shpenzimet.
Deputetja e Partisë Socialiste Sara Mila ka depozituar në Kuvend një projektligj që ndryshon ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, duke zgjeruar të drejtat e tyre shëndetësore, siç njofton Shqiptarja.com.
Sipas projektligjit, kur sëmundja nuk mund të diagnostikohet ose trajtohet në burg, i burgosuri mund të vizitohet në një institucion tjetër shëndetësor, duke zgjedhur vetë mjekun dhe spitalin, me kusht që shpenzimet t’i mbulojë vetë. Transporti dhe shoqërimi bëhen nga institucioni i vuajtjes së dënimit.
Për burgjet e sigurisë së lartë, vizita lejohet vetëm në institucione shëndetësore të nivelit të tretë dhe zgjedhja bëhet vetëm brenda atij niveli, ndërsa transporti kryhet nga policia e burgjeve sipas rregullave të ministrit të Drejtësisë.
Ndryshimi kryesor propozohet në nenin 13: ligji aktual lejon vizitën nga mjeku i tij vetëm me autorizimin e drejtorit të burgut, ndërsa projektligji i jep të burgosurit dhe të paraburgosurit të drejtën të vizitohet në institucionin e zgjedhur prej tij.
Nisma vjen ndërsa kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar të operohet në Tiranë nga mjeku i tij Oltion Rrumbullaku; Gjykata e Posaçme nuk e pranoi kërkesën si kërkesë të veçantë dhe ia la kompetencën Drejtorisë së Burgjeve. Veliaj më herët është operuar në spitalin privat “Villa Maria” në Tiranë nga i njëjti mjek dhe në shkurt ishte dërguar në “American Hospital”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.