🌧️
Tiranë 13°C · Shi i lehtë 25 Nëntor 2026
S&P 500 7,172 ▼0.4%
DOW 50,223 ▲0.41%
NASDAQ 23,524 ▼0.88%
NAFTA 83.65 ▲1.95%
ARI 3,576 ▼0.41%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
₿ CRYPTO
BTC $59,916 ▲ +0.26% ETH $1,685 ▲ +0.57% XRP $0.9404 ▲ +2.43% SOL $70.4500 ▲ +1.91%
S&P 500 7,172 ▼0.4 % DOW 50,223 ▲0.41 % NASDAQ 23,524 ▼0.88 % NAFTA 83.65 ▲1.95 % ARI 3,576 ▼0.41 % S&P 500 7,172 ▼0.4 % DOW 50,223 ▲0.41 % NASDAQ 23,524 ▼0.88 % NAFTA 83.65 ▲1.95 % ARI 3,576 ▼0.41 %
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
25 Nën 2026
Breaking
Politika

Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Vlerësime për ritmin e Shqipërisë, Von der Leyen: Reformat mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera

Përparimi në zbatimin e reformave pritet të zhbllokojë një këst të ri prej 338 milionë eurosh në javët e ardhshme për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Lajmi u konfirmua në Bruksel pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku udhëheqësit e institucioneve evropiane vlerësuan posaçërisht ritmin e Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi zgjerimin si një “domosdoshmëri strategjike për Evropën”, duke theksuar se procesi i negociatave ka marrë një vrull të prekshëm.

“Ne jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj negociatash këtë vit dhe ky është një progres i jashtëzakonshëm që vjen në një moment vendimtar”, deklaroi ajo.

Duke u ndalur te ecuria e vendeve kandidate, Von der Leyen vuri në dukje avancimin e dy vendeve të rajonit, të cilave u janë prezantuar së fundmi edhe udhërrëfyesit me prioritetet e qarta për punën e mëtejshme. “Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vazhdon të ecë drejt tij me një ritëm mbresëlënës”, u shpreh kreu i Komisionit Evropian.

Në të njëjtën linjë, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, theksoi se ecuria e Tiranës dhe Podgoricës dëshmon se integrimi evropian është i arritshëm.

“Progresi i arritur nga Mali i Zi dhe Shqipëria vërteton se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen. Këtë vit nisëm hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kishim ndërmarrë prej më shumë se 10 vitesh. Edhe Shqipëria ka nisur të mbyllë kapitujt e negociatave”, deklaroi Costa.

Plani i Rritjes dhe përfitimet para anëtarësimit

Sa i përket mbështetjes financiare përmes Planit të Rritjes, Ursula von der Leyen bëri me dije se zbatimi i reformave në rajon është përshpejtuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, çka do të përkthehet në fonde konkrete dhe rishpërndarje të mjeteve financiare drejt vendeve që kanë shënuar rezultatet më të larta.

“Një vit më parë, partnerët kishin realizuar 38% të hapave të reformave të parashikuara. Sot kemi arritur tashmë në 63%. Këto janë reforma që bëjnë diferencën. Ato mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme”, tha Von der Leyen.

E pyetur mbi mundësinë e rishpërndarjes së fondeve nga vendet që kanë mbetur prapa me reformat, ajo konfirmoi se Komisioni planifikon “të rialokojë fonde të konsiderueshme për tre vendet që kanë bërë progresin më të fortë”.

Përtej financimeve, Brukseli po zbaton integrimin gradual në tregun e përbashkët që qytetarët të ndiejnë përfitimet përpara anëtarësimit të plotë. Von der Leyen kujtoi se katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë tashmë pjesë e zonës unike të pagesave në euro (SEPA), që mundëson transferta parash më të shpejta dhe me kosto të ulët, ndërsa muajin e kaluar nisën negociatat për heqjen e tarifave roaming (“Roam like at home”) me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Në fillim të vitit të ardhshëm pritet të nisin edhe dialogë të posaçëm me secilin vend për të hapur sektorë të rinj të tregut evropian.

Bashkëpunimi rajonal dhe mungesa e Serbisë

Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, nënvizoi se anëtarësimi nuk varet vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke kërkuar tejkalimin e çështjeve bilaterale të së shkuarës.

Lidhur me mungesën e Serbisë në këtë samit, Costa sqaroi se kishte biseduar me presidentin në detyrë serb, i cili i kishte shpjeguar se nuk mund të merrte pjesë për shkak të punimeve urgjente në parlamentin e Serbisë, duke shtuar se BE-ja mbetet e hapur për të vijuar angazhimin me autoritetet e Beogradit.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.