Ekspozita

Të djegësh Don Kishotin

Klod Dedja në një provokim artistik, duke i vënë flakën një ëndrre. Instalacioni “The dreamer”, i ktheu brigjet e Jonit në një galeri arti, ndërkohë që në Paris, artistja Berlinde de Bruyckere kishte krijuar skulpturë realistike kali të varur nëpër struktura të rënda hekuri …

“Gjithçka kam në jetë është imagjinata”, Woody Allen u jepte përgjigje me këtë shprehje pikëpyetjeve mbi artin e tij. Imagjinata është ikja e bukur nga çdo hapësirë, për të mbërritur në të tjera destinacione, e për të prekur të tjera ide. Ishte imagjinata ajo që e çoi Servantesin të krijonte Don Kishotin, këtë krijesë çmendurake dhe njëkohësisht të dashur për të gjitha vendet ku është përkthyer. Por ndërsa Servantesi e krijoi për Spanjën e tij dikur të rrëmujshme, nuk mund ta imagjinonte se një vend shumë larg prej vendit të tij, do të gjente shumë gjëra te ky personazh. Mullinjtë e erës i ngjasojnë armikut imagjinar që për më shumë se gjysmë shekulli u end në Shqipërinë komuniste. Klod Dedja, artist dhe kurator arti, e ka parë Don Kishotin jo thjesht si një personazh i dalë nga një libër i rëndë, por si një kontribut, i cili udhëhoqi drejt një bote imagjinare, që ka lënë ende gjurmët e një tranzicioni të gjatë. Për të, Don Kishoti i ngjason ëndrrës, që shpesh merr përmasa që dalin mbi hapësirën përreth individit. Dhe në një skenë artistike si Shqipëria, ku ngjarjet janë kaq të rralla, Dedja vendos të provokojë “duke i vënë flakën ëndrrës”. Pak ditë më parë, një instalacion gjigant i një njeriu mbi kalë, do të digjej në plazhin e Drymades. “The dreamer” quhej instalacioni i kuruar nga Dedja dhe fondacioni M.A.M., i cili e shndërroi një vend që laget nga deti, në një galeri arti. Dedja i vuri flakën Don Kishotit, duke e parë ëndrrën si një element të rrezikshëm. “Ëndrra është element evolutiv, shndërrues, përparues dhe në të njëjtën kohë element i rrezikshëm”, thotë ai. Don Kishoti modern për të nuk ndryshon nga ai mesjetari, edhe pse shpesh konteksti i Don Kishotit na bën të mendojmë se ëndrra është një manipulim. “Një manipulim i formuar nga dëshira për t’u infiltruar në realitetin rrethues. “Burning man”, një event i përvitshëm në brigjet e Drymades … Një natyrë ‘quiette an ain air’ me figura instalative përmasash gjigante, të cilat digjen”, thotë ai. Kjo djegie figurative për artistin është një çlirim. “Unë nuk po djeg ëndrrën, thjesht po e çliroj atë, shformoj në grimca të shumta si një transformim shpërbërës. Don Kishoti mbivendos realitetin e tij mbi atë që e rrethon. Kjo kontradiktë e dy elementeve (ëndërr plus realitet) sjell një reaksion mosmarrëveshjesh … shkëputjen e tyre, ndarjen, keqkuptimin, boshllëkun … Nga boshllëku Don Kishoti është i humbur brenda procesit të tij, i cili nuk është thjesht ëndrra por ajo çka ai realisht beson. Brenda vetvetes ai është normal. Imazhi kthehet në element esencial dhe jetik për të”, thotë Dedja. Ndryshe nga akti donkishotesk i Allen, një ëndërrimtar që prodhon imazhin nën një tjetër medium që quhet film, Dedja është i vetëdijshëm mbi atë çfarë mbart personazhi që ka vendosur ta sfidojë. “Don Kishoti im modern, të cilin dua ta djeg, ka një problem fatal: ai nuk është koshient dhe nuk ka asnjë realitet tjetër alternativ. Asnjë alternativë, përveç të qenët brenda realitetit të tij joreal … duke qenë i dënuar të ekzistojë në një hapësirë boshe … veç me imazhin e tij”, thotë ai. Duket sikur Don Kishoti i ngjason skemës artistike në vend, ku boshi ka dënuar shumë vetë të jetojnë në të. Ndaj Dedja kërkon të provokojë, duke e çliruar ëndrrën për të shkuar drejt veprimit. “Akti i djegies së Don Kishotit është reagim si gjest vetëmohimi, si akuzë ndaj prishësve të ëndrrave … refleksion i adaptuar, i cili kalon nga ekzistenca tek absurdi. Të dyja këto fërkohen deri në asgjësim, deri në djegie. Pozicionimi i personazhit në territorin ballkanik më dha shkas të përdor forcën e djegies si akt antikonformist për të ridialoguar mbi argumentin”, thotë ai. Por a jemi donkishoteskë ne shqiptarët dhe ballkanasit? Dedes i pëlqen të thotë jo, duke besuar te forca ballkanase, e cila kërkon të shohë përtej. Si krijues i këtij instalacioni, artisti nuk ishte prezent gjatë ndodhjes së aktit. Ai nuk e pa trupin e Don Kishotit të shkrihej nën flakë, duke u kthyer në eter. Dedja ishte prezent në një tjetër ngjarje artistike që këto ditë ndodhi në Paris me rastin e 25-vjetorit të Galleria Continua, ku ishin pjesëmarrës emra të njohur të artit si: Ai Weiwei, Kader Attia, Daniel Buren, Chen Zhen, Berlinde De Bruyckere, Antony Gormley, Mona Hatoum, Anish Kapoor, Michelangelo Pistoletto, Pascale Marthine Tayou. Por një krijues mund ta ndiejë nga larg krijesën e tij. “Në një farë sensi nuk preferova të shikoja aktin. Akti ishte në kokën time prej kohësh dhe e dëshirova që nga momenti i konceptimit. Më pëlqen të mos shikoj atë çka jetoj çdo sekondë në mendjen time. Por çka ndodhi në Paris (rastësi absurde), që në një ekspozitë arti bashkëkohor u ndodha përballë një vepre të artistes Berlinde de Bruyckere “The embalmer”, e cila kishte krijuar skulpturë realistike kali të varur nëpër struktura të rënda hekuri. Forma kali të gjymtuar dhe shformuar. Një rekuiem dramatik formash të deformuara nga një peshë e madhe simbolike. Mbivendosa të dy realitetet, ndërkohë që Don Kishoti im ballkanik po digjej diku në brigjet shqiptare. Në të njëjtën kohë, kali i varur përballë meje i ngjante esencialisht kalit të Don Kishotit”, thotë ai. Kjo, pasi arti ka aftësinë të mos ikë prej teje dhe kur ti je mijëra km larg tij. Por ndërsa në Paris, De Bruyckere apo Daniel Buren provokuan me tema të ndjeshme sot, Don Kishoti shqiptar solli një gjendje, e cila mund të shkonte mirë në çdo hapësirë ndërkombëtare, duke mbartur mesazhin e daljes nga ëndrra dhe kthimit në realitet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button