Të enjten konstituohet Këshilli Bashkiak, Bozdo: Bashkë me stafin i dorëzojmë detyrën Veliajt
Këshilli i ri bashkiak i Tiranës mblidhet paraditen e së enjtes për herë të parë pas përmbylljes së zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ku kryebashkiaku Erion Veliaj pritet të marrë detyrën e drejtimit të kryeqytetit.
Ceremonia e konstituimit të këshillit të ri parashikon procedurën e verifikimit të mandateve dhe më pas atë të betimit të kryebashkiakut dhe të përfaqësuesve të subjekteve politike.
Pas betimit, këshilltarët e rinj për mandatin 2015-2019 do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak, që në këtë rast i takon Partisë Socialiste, e cila ka shumicën në këshill.
Ndarja brenda koalicionit të majtë fitues Aleanca për Shqipërinë Europiane është si vijon: Partia Socialiste do të ketë 25 anëtarë, LSI 13, PDIU 3 dhe FRD 1 anëtar. Ndërsa opozita në Këshill do të përfaqësohet nga 17 këshilltarë dhe aleatët e saj Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Republiane me nga 1 këshilltar.
Nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo, tha se bashkë me të gjithë stafin do të presin të enjten kryetarin e ri të bashkisë, të cilit do t’i dorëzojnë zyrtarisht detyrën.
Bozdo tha gjithashtu se buxheti i bashkisë është i mjaftueshëm për të vijuar punët e nisura, por dhe projektet e reja.
Njoftimi i plotë i bashkisë:
Bazuar në ligjin Nr.8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, neni 26, njoftoj thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit Bashkiak, ditën e Enjte, datë 30.07.2015, ora 10:00 në sallën e Këshillit Bashkiak, me rendin e ditës si vijon:
-Zgjedhja e Komisionit të Mandateve
-Shqyrtimi dhe miratimi i raportit të Komisionit të Mandateve
-Betimi i Këshilltarëve
-Zgjedhja e Kryetarit të Këshillit Bashkiak
-Zgjedhja e N/Kryetarit të Këshillit Bashkiak
-Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe betimi
-Zgjedhja e anëtarëve që do të përfaqësojnë Këshillin Bashkiak në Këshillin e Qarkut të Tiranës