Të famshëm dhe disleksikë
Ata janë që të gjithë të suksesshëm në profesionet e tyre, me shumë çmime prestigjioze të fituara dhe me miliona fansa në të gjithë botën. Janë aktorë të famshëm, këngëtarë, regjisorë, shpikës, gazetarë të njohur, të cilët kanë pranuar publikisht se vuajnë nga disleksia.
Por, arritjet e tyre tregojnë se ky çrregullim nuk i ka penguar aspak në jetë. Aktorja e famshme e Hollivudit, Whoopi Goldberg (Caryn Elaine Johnson), kur ishte ende fëmijë thirrej shurdhe nga shokët e klasës. Mamaja e saj gjithmonë e këshillonte që të mos ua vinte veshin dhe i thoshte se në jetë do të bëhej gjithçka që ajo vetë ëndërronte. Goldberg e besoi! U bë komedianja e famshme dhe ndër të paktat artiste që ka fituar një “Grammy”, “Academy Award”, si dhe çmimet “Emmy” dhe “Tony”.
Regjisori legjendar Steven Spielberg nuk e dinte që ishte disleksik deri në moshën 60-vjeçare, kur u diagnostikua për herë të parë. Mësuesit e tij të fillores mendonin se ai ishte thjesht një nxënës dembel. Spielberg ka qenë për shumë kohë prè e “bullizmit”, eksperienca të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në karrierën e tij. Regjisori deklaroi në atë kohë se disleksia ishte pjesa e munguar e jetës së tij.
Moderatori i famshëm i rrjetit mediatik CNN, Anderson Cooper, nuk e ka lejuar disleksinë që të ndikojë në jetën e tij profesionale. Cooper nuk e lejoi sëmundjen, që t’i pengonte dëshirën dhe pasionin e tij të madh për librat dhe letërsinë. Një prej librave të tij madje ka qenë edhe “best seller” për shumë kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Keira Knightley u diagnostikua me disleksi në moshën 6-vjeçare. Aktorja e famshme e shfrytëzoi dashurinë e saj për aktrimin për ta motivuar që të lexonte dhe të luftonte disleksinë. Ajo bëri një pakt me prindërit e saj kur ishte ende fëmijë, që nëse do të punonte rreptësisht me të lexuarit çdo ditë, ata do të punësonin një agjent për të. Knightley është një nga aktoret më të paguara të momentit.
Në karrierën e saj shumëvjeçare, Cher ka fituar “Academy Awards” si aktore, por dhe çmimin prestigjioz “Grammy” si këngëtare. “Edhe pse kisha shumë vështirësi me leximin, unë përqëndrohesha shumë tek ajo çfarë thoshte mësuesja në klasë”, pati deklaruar Cher. Ajo nuk e dinte që vuante nga disleksia, deri sa u bë vetë prind dhe çonte vajzën në kurset e vlerësimit të nxënies mësimore.
Të tjerë njerëz të famshëm si shkencëtari Albert Einstein, piktori Pablo Picasso, ikona e botës së modës Tommy Hilfiger, aktorët Robin Williams, Tom Cruise, Jennifer Aniston, Billy Bob Thornton, Patrick Dempsey, si dhe krijuesi i “Apple” Steve Jobs dhe anëtari i “Beatles” John Lennon, kanë vuajtur gjithashtu nga disleksia, por duke mos u dorëzuar kurrë para saj.