⛅
Tiranë 10°C · Pjesërisht vranët 29 Nëntor 2026
S&P 500 7,297 ▲1.6%
DOW 50,775 ▲1.18%
NASDAQ 24,130 ▲2.31%
NAFTA 83.08 ▼0.72%
ARI 3,669 ▲2.91%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0945 EUR/GBP 0.8354 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8622 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6231 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 174.59 EUR/CAD 1.5588 EUR/USD 1.0945 EUR/GBP 0.8354 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8622 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6231 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 174.59 EUR/CAD 1.5588
₿ CRYPTO
BTC $58,774 ▼ -1.38% ETH $1,627 ▼ -1.56% XRP $0.9222 ▼ -1.99% SOL $69.8800 ▼ -1.73%
S&P 500 7,297 ▲1.6 % DOW 50,775 ▲1.18 % NASDAQ 24,130 ▲2.31 % NAFTA 83.08 ▼0.72 % ARI 3,669 ▲2.91 % S&P 500 7,297 ▲1.6 % DOW 50,775 ▲1.18 % NASDAQ 24,130 ▲2.31 % NAFTA 83.08 ▼0.72 % ARI 3,669 ▲2.91 %
EUR/USD 1.0945 EUR/GBP 0.8354 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8622 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6231 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 174.59 EUR/CAD 1.5588 EUR/USD 1.0945 EUR/GBP 0.8354 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8622 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6231 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 174.59 EUR/CAD 1.5588
29 Nën 2026
Breaking
Opinion

Të gjithë kundër Arlind Qorit

Nga THOMA GËLLÇI

Në politikën shqiptare po ndodh diçka që bie në sy. Edi Rama dhe Sali Berisha, dy rivalët e vjetër të politikës sonë, po merren gjithnjë e më shumë me të njëjtin njeri: Arlind Qorin, kryetarin e Lëvizjes Bashkë.

Sulmet nuk vijnë vetëm nga dy liderët. I përsërisin në media, në studio televizive dhe në rrjete sociale analistë, komentatorë, patronazhistë e militantë të të dyja palëve. Qorin e quajnë herë komunist, herë njeri të Sorosit, herë bashkëpunëtor të qeverisë e herë organizator të destabilizimit të vendit. Nuk e kursejnë as bashkëshorten e tij.

Por, përtej akuzave, ia vlen të pyesim: pse dy partitë e mëdha po i kushtojnë kaq shumë vëmendje Lëvizjes Bashkë? Për më shumë se tridhjetë vjet, debati publik në Shqipëri është sjellë pothuajse krejt rreth përplasjes mes socialistëve dhe demokratëve. Sot, pasi edhe Partia e Lirisë ka humbur peshë, në këtë debat po hyn një forcë që i kundërshton të dyja njëherësh.

Rama e quan Qorin “neokomunist”, dhe përdor lojëra fjalësh duke përdorur mbiemrin e tij dhe faktin që Arlindi mban syza; ( Shumë e dobët si metaforë)  ndërsa Berisha e akuzoi se kishte terrorizuar qytetin gjatë protestave. Interesante është se Berisha përpiqet ta paraqesë Qorin si njeri të Ramës, ndërkohë që vetë Rama e sulmon si kundërshtar të qeverisë.

Një shpjegim i mundshëm për këtë fushatë duhet kërkuar te zgjedhjet që vijnë, sidomos te gara për Bashkinë e Tiranës.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Qori kandidoi me një parti të krijuar vetëm pesë muaj më parë. Mori 4,77 për qind të votave dhe doli i treti. Dy vjet më pas, në zgjedhjet parlamentare të 2025-s, Lëvizja Bashkë hyri në Kuvend me deputetin Redi Muçi. Tani Qori ka njoftuar se do të kandidojë sërish për Tiranën në 2027.

Këtë herë, Lëvizja Bashkë nuk vjen si e panjohur. Ka katër vjet përvojë, një deputet në Kuvend, më shumë prani publike dhe ka qenë vazhdimisht në protesta. Nuk ka sondazhe që të tregojnë sa është rritur mbështetja për të. Por mënyra si e sulmojnë Rama dhe Berisha flet vetë. Sulmet nuk janë sondazhe, por tregojnë se Qori nuk shihet më si figurë anësore.

Për PS-në, Lëvizja Bashkë është rival nga e majta, si në ide, ashtu edhe në vota. Ajo u flet pikërisht atyre që PS-ja thotë se i përfaqëson: punëtorëve, pensionistëve, studentëve dhe njerëzve me të ardhura të ulëta. Kur ka një tjetër forcë të majtë, PS-ja detyrohet t’u përgjigjet pyetjeve se sa sociale janë vërtet politikat e saj.

Për PD-në, problemi është tjetër. Lëvizja Bashkë nuk e pranon idenë se kushdo që është i pakënaqur me Ramën duhet të rreshtohet pas Berishës. Qori kërkon largimin e qeverisë, por nuk e sheh rikthimin e Berishës si zgjidhje.

Për dekada, pushteti në Shqipëri është ndarë mes dy partive. Kur njerëzit zhgënjeheshin nga njëra, forcohej tjetra. Një forcë që synon të tërheqë të pakënaqurit nga të dyja anët mund ta ndryshojë këtë lojë. Ndoshta edhe për këtë arsye, kandidimi i Qorit ka marrë një peshë që shkon përtej Tiranës.

Po çfarë është Lëvizja Bashkë?

Nuk është parti e ngritur nga ish-ministra, ish-deputetë apo ish-drejtues të zhgënjyer të PS-së dhe PD-së. Ajo lindi nga aktivizmi shoqëror, sindikatat, lëvizja studentore dhe protestat për çështje sociale. Në radhët e saj ka pedagogë, studentë, punëtorë dhe profesionistë. Vetë Qori është pedagog universitar.

Programi i saj flet për një shtet më social, për mbrojtjen e punëtorëve, pensione më të larta, arsim dhe shëndetësi publike më të forta, më pak ndikim të oligarkëve në politikë dhe institucione më demokratike. Këto janë qëndrime të së majtës. Mund të diskutohen, të kritikohen dhe të kundërshtohen, por mbi bazën e programit.

Në vend të këtij debati, një pjesë e kundërshtarëve preferojnë të flasin për Sorosin, komunizmin, paratë e huaja dhe komplote të ndryshme. Çdo parti duhet të jetë plotësisht transparente për financat. Lëvizja Bashkë i publikon raportet e saj financiare, që mund t’i kontrollojnë institucionet, gazetarët dhe qytetarët. Por kush flet për financime të paligjshme, duhet të sjellë dokumente dhe prova.

Edhe më problematike është akuza se Qori i ka vënë zjarrin Tiranës. Në deklaratat publike të Policisë së Shtetit që kemi parë deri tani, nuk ka asnjë akuzë që lidh Qorin, Muçin apo aktivistët e Lëvizjes Bashkë me organizimin e dhunës gjatë protestave. Këto akuza vijnë nga kundërshtarët politikë dhe nga një pjesë e medias, jo nga institucionet që hetojnë dhunën.

Në pamjet e protestave, Qori dhe Muçi duken me fytyrë të zbuluar, pa maska, pa gurë e pa flakadanë. Ata dhe aktivistët e tyre kanë thënë vazhdimisht se janë për protestë paqësore. Të protestosh me vendosmëri nuk do të thotë të ushtrosh dhunë. Përgjegjësia për çdo akt dhune është personale dhe duhet vërtetuar me prova, jo me përkatësi politike.

Zgjedhjet për Tiranën do të jenë një provë e rëndësishme jo vetëm për Lëvizjen Bashkë, por për gjithë sistemin politik. Për herë të dytë, Qori do të masë forcën e tij në kryeqytet, këtë herë në kushte krejt të tjera nga ato të 2023-shit.

Si do të shkojë, mbetet për t’u parë. Por një gjë duket që sot: dy partitë e mëdha po harxhojnë shumë energji me një parti që ka vetëm një deputet.

Kjo përplasje nuk ka të bëjë vetëm me Tiranën. Ka të bëjë me diçka më të madhe për demokracinë shqiptare: nëse qytetarët mund të ndërtojnë një alternativë jashtë dy partive që kanë dominuar vendin për më shumë se tridhjetë vjet.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.