Duam shtet, jo sundimtarë

Mos harroni: Ata që protestojnë duan një Shqipëri ndryshe, duan një komb ndryshe. Ata dhe qindra mijëra të tjerë, që ata përfaqësojnë aq denjësisht në shesh, janë ngopur me sundimtarë egomanjakë, me sociopatë dhe narcisistë, që e kanë kthyer tradicionalisht shtetin shqiptar në funksion të ambicieve të tyre boshe për të qëndruar përjetësisht në pushtet. Shqiptarët duan ndryshim. Duan një shtet që të jetë pronë e të gjithë kombit, duan një komb që t’i falet drejtësisë, ligjit, ndershmërisë dhe jo historive e simboleve boshe.
Për 114 vjet shqiptarëve u është rrëmbyer shteti dhe kombi nga bajraktarët kapadaij. Njëri u vetëshpall mbret, tjetri deshi të bëhej perëndi, dy të tjerë kanë dhjetëra vjet që kanë mbërthyer kthetrat te karrigia e pushtetit dhe paraqesin si të veten çdo arritje të shqiptarëve, ndërkohë që as qerpiku nuk u lëviz për nevojat, dëshirat, mungesat, vuajtjet apo aspiratat reale të atyre që kanë poshtë.
Nuk duam as të na e bëni vendin fanar ndriçues në Evropë, as të na fusni ju në NATO, as të na anëtarësoni ju në BE, as të na shisni te Italia, Jugosllavia, Rusia, Kina, Amerika, Franca apo ku t’ju dojë juve kokrra e qejfit – duam t’i bëjmë gjërat vetë, duam të qeverisemi vetë, të kujdesemi vetë për njëri-tjetrin. Duam një shtet të drejtë, të pakorruptuar, që përpara se të ndërtojë kështjella betoni pa asnjë funksion utilitar, t’u sjellë njerëzve ujin e pijshëm të pandërprerë, rrymën elektrike të garantuar, rrugë me një sistem të thjeshtë, por funksional të qarkullimit të ujërave. Duam që të rinjtë nga të gjitha familjet, të pasura apo të varfra, ta shohin të ardhmen në vendin e tyre dhe jo të ikin nga sytë këmbët. Duam që shqiptarët të njihen dhe të respektohen si komb që di të ndërtojë një shtet demokratik dhe të drejtë dhe jo të mëshirohen si çifligu personal i sundimtarit të rradhës.
Nuk duam liderë të fuqishëm që të na trajtojnë sikur jemi njerëz me të meta mendore, të na poshtërojnë dita-ditës, të na fyejnë me paaftësinë e tyre. Duam që në krye të vendit të jenë ekonomistë, juristë, teknicienë punëtorë dhe modestë, njerëz që vrasin mendjen se si të zgjidhin problemet e bashkëkombësve, jo njerëz që e kalojnë ditën duke u marrë me intriga, mashtrime, lëshime, korruptime dhe pisllëqe të çfarëdolloji për të ruajtur të paprekur sundimin e tyre. Duam që të zgjedhurit në krye të kontrollohen vazhdimisht dhe të përgjigjen përpara një parlamenti funksional dhe të fuqishëm, me njerëz që përfaqësojnë realisht elektoratin e tyre dhe që kanë vertebra, jo llucë në shtyllën kurrizore.
Ky është 28 Nëntori i vitit 2026. Le të shpresojmë që ai që vjen pas të jetë një hap i madh më pranë realizimit të asaj që do shumica e shqiptarëve.
Shkrime nga Arben Kallamata — të gjitha shkrimet e autorit në Opinion →



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.