Të gjithë në Ballkan; Rusia dhe Kina nisin ndikimin, përballja me BE
Vladimir Putin akuzoi ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin për destabilizim të Ballkanit përmes zgjerimit të NATO-s, e kjo në një kohë kur sipas Judy Dempsey nga Qendra Carnegie e Europës, Rusia po e kërkon vetë fuqizimin e ndikimit në rajon.
Ekspertja konsideron se në funksion të këtyre përpjekjeve ishte dhe vizita pompoze e shefit të Kremlinit në Beograd. Dempsey tha per Radion Europa e Lirë se kjo retorikë agresive e befasishme nga ana e Moskës dhe sidomos Putinit, vjen për disa arsye. Një prej tyre është se marrëdhëniet transatlantike janë përplot me tensione në këtë moment, dhe presidenti Trump deklaron se SHBA-ja në një moment do të tërhiqet nga NATO-ja.
Kjo, në mënyrë të qartë shkon në favor të Rusisë, mendon analistja. Rusia , sipas saj, gjithmonë ka dëshiruar që ta dobësojë aleancën perëndimore të NATO-s, gjithmonë ka dashur që ta dobësojë lidhjen transatlantike dhe Putini ka shkuar në Serbi për këtë shkak.Së dyti, kurrë nuk e dini se çfarë mendon presidenti Aleksandar Vuçiç.
Për Financial Times, para disa vitesh ka folur për kursin pro-europian, ndërsa tani i shtron Putinit tapetin e kuq; Serbia, shprehet Dempsey, po bën lojë të dyfishtë. Çështja e tretë, është se presidenti rus në këtë vizitë ishte me shefin e Gazpromit, Aleksandar Miler, për shkak se ata po e shohin me shqetësim ndikimin në rritje të Kinës.
Kështu Ballkani Perëndimor po kthehet në një fushë loje për Pekinin dhe Moskën, ndërkohë që Bashkimi Europian përpiqet ta mbajë nën kontroll. Rajoni sipas Dempseyt, është mjaft i hapur për një numër të madh ndikimesh.