Politika

Të hënën vendimi për ndarjen terriroriale, PD: Do bllokojmë zgjedhjet

Kjo fundjavë është vendimtare për të ardhmen e zgjedhjeve lokale, nëse ato do të zhvillohen sipas ndarjes së re territoriale apo ligji i ri i qeverisë do të shfuqizohet, siç e kërkon Partia Demokratike, dhe numri i njësive vendore nuk do të ndryshojë.

1418478400PD-seliaParalel me debatet në Gjykaten Kushtetuese, në Partinë Demokratike është zhvilluar një konsultë mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe grupit të ekspertëve demokratë, sipas llogarive të të cilëve ndarja me 61 bashki i jep fitoren në tavolinë koalicionit qeveritar.

Burime zyrtare nga Partia Demokratike konfirmuan për Top Channel se bazuar mbi këto llogaritje, opozita nuk do të pranojë atë që e quan “kapje të pushtetit lokal në tavolinë” nëpërmjet ndarjes së vendit sipas interesit politik të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Të njëjtat burime pohojnë se duke e konsideruar miratimin pa konsensus të ndarjes territoriale si “asgjësim të bashkëjetesës demokratike” opozita është e vendosur jo vetëm të mos e njohë atë, por ajo do të përdorë të gjithë instrumentat për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale me hartën e re.

A do të thotë kjo mospjesëmarrje në zgjedhje? Burimet nga Partia Demokratike nuk konfirmojnë se është diskutuar për bojkot, por ato pohojnë se në konsultën e kreut të opozitës janë diskutuar intrumentat për bllokimin e zgjedhjeve lokale, që sipas afatit ligjor duhet të zhvillohen në fund të qershorit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka nisur një tur të ri kombëtar për takime me qytetarët, e ka cilësuar më herët ndarjen e re territoriale si një akt të njëanshëm që provokon konflikt civil dhe politik, i cili, siç thotë ai, mund të shmanget vetëm duke rikthyer konsensusin dhe dialogun mes palëve.

Dhe shansi i fundit për ta bërë këtë, sipas demokratëve, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button