Të huajt, të dashuruar me jetën shqiptare të natës, Dhërmiu, Ibiza Shqiptare
Ndryshe nga pakënaqësitë për shërbimin në lokale, komentet e të huajve për Shqipërinë në TripAdvisor, portalin më të madh të turizmit, janë më se pozitive kur vjen puna për argëtimin, ditën apo natën qoftë ai. Ja se çfarë shkruan një komentuese italiane, e cila ndodhej në një nga plazhet e njohura në Himarë gjatë qëndrimit të saj një javë më parë: “Ky mund të jetë ndoshta një nga plazhet më të mira të Shqipërisë (Himara) për nga shërbimi dhe nga argëtimi që ofrohet. Ditën me vetëm 8.50 euro është e mundur që të kesh parkim, çadër, shezlong dhe koktej. Në Itali me këtë shumë mund të merrje vetëm një prej këtyre shërbimeve. Natën, çmimet janë disi më të larta, por diskotekat janë vërtet të këndshme dhe me shumë argëtim. Po ju jap disa shifra sa për të krijuar një ide: Dreka me peshk të freskët për dy persona mund të kushtojë 25-30 euro; në diskoteka paguan 3 euro për hyrjen dhe mund të pish kokteje me 4-5 euro”.
Për të huajt, Dhërmiu është vendi i duhur për jetën e natës. Ata e quajnë “Ibiza shqiptare”. Në komentet e tyre shkruajnë se mund të gjesh një sërë baresh me kokteje në ajër të pastër dhe ku mund të kalohet një natë e këndshme. Nxitojnë të thonë se në plazhin e Dhërmiut kanë performuar DJ të famshëm si Tiesto dhe Paul Van Dyk.
Një turist britanik shkruan: “Mbrëmjet më të çmendura janë ato të fundjavës. Vetëm sigurohu që të mos ua thuash shumë personave sepse në të kundërt, ato nuk do të jenë më parajsa të pazbuluara”.
Edhe në Sarandë, jeta e natës mund të jetë vibruese. Kjo zakonisht nis pas orës 23.00. Ka një sërë diskosh verore që qëndrojnë të hapura nga maji në shtator. Në to luhet kryesisht muzikë house/dance dhe kapaciteti mund të arrijë deri në 2,000 persona, raporton Monitor.
Në Vlorë, klubet verore më të famshme janë pranë Ujit të Ftohtë. Kapacitetet e tyre shkojnë deri në 2,500 persona. Të gjitha eventet janë të ekspozuara në faqet e tyre të internetit apo edhe në rrjetet sociale. Zakonisht për hyrjet gjatë ditës së premte dhe të shtunë paguhet një kuotë që varion sipas performancës. Nëse ka këngëtarë që performojnë live, kjo tarifë mund të llogaritet në rreth 1,000 lekë për person.
5 klubet verore më të bukura të Europës
Europa, ka gjithçka në verë. “Living la vida loca” është një refren që e gjen në destinacionet më në zë të jetës së natës, si në Greqi, Kroaci, Itali, në Kanë në Monako në San Trope, etj.
Por, ku gjenden klubet verore më të mira në Europë? Në fakt ka disa tipe klubesh: ‘chilled-out’, që janë klube ku ofrohet ushqimi i mirë dhe relaks. Disa janë chic dhe më shumë për njerëzit e pasur dhe të famshëm, ndërsa të tjerë më industrialë dhe kreativë. Të gjitha ofrojnë vende për festa si ditën, ashtu edhe natën.
1. Carpe Diem – Hvar, Kroaci
Ishulli plot diell i Hvarit është një nga destinacionet e festave më popullorë në Kroaci. Popullariteti i këtij ishulli është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, falë bareve dhe klubeve të mrekullueshme. Shumë turistë arrijnë në brigjet e Dalmacisë me jahte apo xhetset.
2. Gecko Beach Club – Formentera, Spanjë
Gecko Beach Club gjendet në ishullin e Formentera, në afërsi të Ibizas. Formentera është një nga destinacionet e fshehta me plazhe të virgjëra, plazhe të virgjëra dhe pasuri historike.
The Gecko Beach Club është një vend i ri luksoz, ku mund të shijohen kokteje fantastike, produkte deti etj.
3. Nammos – Mykonos, Greece
Kush thotë se grekët janë në krizë? Hidhni një sy në Nammos Beach Club në Mikonos. Ky destinacion bregdetar afër plazhit Psarou është një nga vendet më të preferuara në Mikonos.
Prej andej mund të shijoni detin, panoramën fantastike dhe rrezet e diellit.
4. Woosah – Scheveningen, Holandë
Këto ditë të nxehta mund të bëhen vërtet të mrekullueshme në Holandë, më saktësisht në Scheveningen, në klubin The Hague.
Në qytetin e vogël të Scheveningen, gjendet shumë klube verore. Disa janë për familjarë dhe fëmijë, të tjera janë më të fokusuara te të rinjtë.
5. Hula Hula Beach bar – Hvar, Kroaci
Çfarë mund të jetë më e këndshme sesa pamja e një ishulli të pabanuar që mund të shijohet me një koktej në dorë? Hula Hula Beach Bar është një nga më të mirët në Kroaci dhe për të shijuar atë çka ofron, turistët udhëtojnë nga të gjitha anët e botës.