Të jesh shkrimtar në Tiranë
Të jesh shkrimtar në Tiranë
Gazetaria nuk mundi t’i hiqte grishjen e tregimtarit Leonard Veizit. Në kurthin që të fut e shkruara (rit i gazetarëve në Shqipëri), Nardi diti të ruante një raport të fshehtë, por të dobishëm mes tij dhe të tjetër mënyrë të shkruari. Në vitin 1997 botoi përmbledhjen e parë me tregime, për të vijuar më pas gati me një botim të ri çdo vit, për të mbërritur te romani “Lora”, që vetëm një muaj më parë ka dalë në treg për lexuesin. Nëntë vepra në gjininë e prozës e bëjnë atë një prej autorëve më prodhimtarë vitet e fundit.
Çdo të thotë të jesh shkrimtar në Shqipëri?
Nuk besoj se një shkrimtar shqiptar ndryshon nga një tjetër që shkruan përtej kufijve tanë shtetërorë. Besoj se ka ikur koha kur shkrimtarët bënin “jetë shkrimtari”. Sot, shumë shkrimtarë janë të angazhuar në punë të tjera dhe gjithashtu bëjnë letërsi. Padyshim ka dhe nga ata shkrimtarë që e kanë si profesion të parë të shkruarin. Por në Shqipëri shkrimtarë “të lirë” besoj se janë vetëm ata që kanë dalë në pension. Pjesa tjetër nuk mund ta sigurojë dot jetesën vetëm duke shitur prodhimet e tyre. Në këtë kuadër edhe unë bëj pjesë në listën e shkrimtarëve që letërsisë i kushtohen “pas orarit të punës”. Po të marr në konsideratë pesë librat e mi të fundit, mund të them se një pjesë e konsiderueshme e tyre është shkruar gjatë kohës së “lirë” që më krijohej në redaksinë e pesë gazetave të ndryshme ku kam punuar në atë periudhë kohe. Ndërkohë, shumëkush është shprehur se shkrimtarët duhet të kenë edhe mbështetjen e shtetit. Unë për vete nuk e kuptoj fare këtë togfjalësh. Shkrimtari është qenie e lirë, nuk ka nevojë për mbështetjen e shtetit dhe as të shoqatave letrare, të cilat për të thënë të vërtetën, si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin, në mos janë krejt inekzistentë, janë thuajse pa sens për sa i përket këtij lloj angazhimi. Shteti mjafton të mos më censurojë dhe e ka mbaruar detyrimin e tij ndaj meje si shkrimtar.
Çfarë ka ndryshuar te ju nga libri i parë i botuar deri te romani i fundit “Lora”?
Libri im i parë ka qenë një përmbledhje me pesë novela prej 154 faqesh, që është botuar në fillim të vitit 1997, por që novela e parë është shkruar në vitin 1990. “Lora” është botimi i fundit me një kapacitet prej 340 faqesh, botuar në 2015-n. E bëra këtë parantezë jo për të treguar se me kalimin e kohës janë rritur vetëm numrat e faqeve, por për të thënë se në 33 vite tentativë serioze krijimtarie letrare (që prej çastit që u binda se letërsia ishte e ardhmja ime), në harkun kohor të 18 viteve kam mundur të botoj nëntë vepra të ndryshme, novela, tregime e pesë romanë. Ndërkohë, kam parasysh që fillimi i krijimtarisë sime ka qenë me një linjë, meditative, psikologjike dhe me personazhe hije, të padukshme ose të paemër. “Lora” është shumë kompleks. Ka disa linja, shumë personazhe dhe shumë vendndodhje. Kjo do të thotë që unë tanimë mbaj një peshë më të madhe si autor dhe çdo personazhi i jap një personalitet, pa lënë në hije askënd. Një gjë e tillë është e dukshme në të paktën tre romanët e fundit, që në një farë mënyre kanë ndjekur njëri-tjetrin, jo vetëm në mënyrë kronologjike, por dhe në konsolidimin e strukturës dhe zgjerimin e frymëmarrjes.
A nuk ju duket provokuese mënyra sesi e keni nisur romanin … një vrasje?
Unë besoj se hyj tek ata autorë që vazhdimisht e kanë provokuar lexuesin. Ta fillosh me një vrasje do të thotë t’i ngresh një çark lexuesit dhe nëse ai arrin të futë kokën në të, do t’i duhet medoemos t’i shkojë deri në fund, kushti i vetëm për të shpëtuar nga çarku. Kur them e kam provokuar lexuesin, mund të përmend pa frikë, një roman si “Surpriza e natës së fundit”, ku vetë surpriza është një provokim i madh. Tek “I çmenduri i pavijonit 3” gjithashtu ka provokime të hapura, për të ardhur më pas te një roman tjetër po aq provokues, siç është “Orgji në famullinë e atë Ludovikut”. Mendoj se letërsia nuk ka të bëjë vetëm me stilin e të shkruarit “bukur e pa gabime”, por sidomos në atë që përçon, në temën që do t’i serviret lexuesit. Në një botë prodhimesh letrare pa fund, lexuesi të braktis menjëherë nëse nuk ndihet i provokuar me të gjitha ngjyrat e mundshme, rozë, e verdhë apo gri e fortë.
Cili është raporti juaj me lexuesin?
Është një raport i konsoliduar, i cili zgjerohet pas çdo botimi. Duke qenë se qëllimi i çdo shkrimtari apo autori tjetër i çfarëdo gjinie qoftë, shkruan që të lexohet, natyrisht që do ta vlerësoja maksimalisht lexuesin. Kam lexues që nuk më kanë tradhtuar asnjëherë. Kam fituar lexues të rinj, të cilët nuk ngurrojnë të më shkruajnë mesazhe. Unë jam i ndjeshëm ndaj çdo lexuesi, ndaj mundohem të jem korrekt me ta, qoftë dhe duke u kthyer mesazhet në shenjë falënderimi. Në përvojën time kam disa takime me lexuesit, të cilat më kanë impresionuar pa masë, sidomos kur kam dëgjuar prej tyre interpretime mbi veprën, për të cilën as që më kishte shkuar në mendje. Duke qenë se regjistrat e leximit janë të ndryshëm, unë jam gjithashtu shumë i vëmendshëm ndaj çdo kritike a sugjerimi të tyre. Tek e fundit, ashtu si dhe në politikë ku vendos votuesi, edhe në letërsi është lexuesi ai që vendos për ty; të jep pikët maksimale apo nuk e kthen kokën fare ndaj teje, duke të dhënë në këtë mënyrë një dënim shumë të madh, që unë do ta cilësoja si “pushkatim letrar”. …
Dhe çfarë keni në duar tani pas botimit të “Loras”?
Asnjë gjë konkrete dhe disa gjëra bashkë. Por mendoj se do të jetë një tjetër roman. Ç’është e vërteta nuk kam asnjë projekt për të botuar tregime të shkurtra, poezi jo e jo, madje as publicistikë, edhe pse kam materiale pa fund. Realisht, vitet e fundit unë e ndiej se si po konsolidohem në gjininë e romanit. Kështu që besoj se dhe për njëfarë kohë do të jem në të njëjtin shtrat. Ende nuk e kam të qartë se çfarë do të jetë pas “Loras”, por për një gjë dua të jem i sigurt, që botimi i radhës duhet ta kalojë këtë roman, i cili gjithashtu ishte një gur i rëndësishëm kilometri në krijimtarinë time letrare.
Libra të Veizit:
– “Grahma e shpirtit të mjegullt” (novela 1997)
– “Ngrehina e përhumbjes” (tregime 1998)
– “Treni i fundit i metrosë” (tregime 2005)
– “I dënuar me vdekjen” (tregime 2006)
– “Surpriza e natës së fundit” (roman 2008)
– “Rrëfimi” (roman 2009)
– “I çmenduri i pavijonit 3” (roman 2012)
– “Orgji në famullinë e atë Ludovikut” (roman 2013)
– “Lora” (roman 2015)