Të tregosh Shqipërinë përmes romanit të Sterio Spases
Regjisori i ri, Borin Shehu, sjell “Shqipëria përmes aktesh”. Për 21 ditë, një ekip i huaj do të udhëtojë në qytete të ndryshme të vendit, për të sjellë Shqipërinë ndryshe
Ditarët e Gjon Zaverit (personazhi i romanit “Pse” të Sterio Spases) vijojnë të jenë frymëzuese. Kur Borin Shehu, një i ri në fushën e kinemasë, i dha fund udhëtimit në faqet e këtij romani, ndjeu se gjithë ndjesitë e marra prej tij kërkonte t’i shndërronte në imazhe kinematografike. Prej kohësh ai kërkonte të rrëfente Shqipërinë e tij, gjithçka të marrë përmes librave të historisë, rrëfimeve të së afërmeve, apo përvojës së tij personale në një film. Të sillte përmes imazheve gjithçka ka përjetuar ky vend që pas rënies së komunizmit. Dukej sikur Gjon Zaveri e ndillte drejt një Shqipërie ndryshe, nga ajo çfarë dokumentarët për vendin tonë kanë dhënë këto vite, një Shqipërie që vinte e bëhej më grishëse treguar prej këtij burri që prej gati një shekulli fle në fletët e një libri. Një Shqipëri sentimentale dhe njëherazi e fortë në historinë e saj, dinjitoze përballë historisë. “Frymëzimi i parë më erdhi nga libri “Pse”. Më pas shkrova një histori të shkurtër surrealiste rreth një çifti të ri të mbetur në një qytet kaotik, të paparashikueshëm, që ndryshon nga dita në ditë, në një vend ku e shkuara takohet me të ardhmen”, thotë Shehu. “Shqipëria përmes aktesh” quhet filmi në stilin e dokufiksionit eksperimental në llojin e filmave të Jean Rouch, i cili do të sjellë për publikun francez një rrëfim për Shqipërinë e pas viteve ’90. Për të realizuar këtë prodhim, Shehut iu bashkua dhe një ekip i huaj. Dy kineastë francezë, dy prej Luksemburgu dhe një italian, bashkë me dy miqtë e tij shqiptarë kanë nisur prej më shumë se një jave një udhëtim në qytete të ndryshme të Shqipërisë, për të fotografuar apo për të xhiruar Shqipërinë që Borinit i doli nga fletët e një libri. Një udhëtim që do të përfundojë më 31 gusht, për të konkretizuar idenë e një Shqipërie sipas Gjon Zaverit. “Do të jemi duke udhëtuar deri më 31 gusht, përgjatë gjithë Shqipërisë, duke filmuar vende të rëndësishme historike, politike apo kulturore, duke eksploruar historinë kulturore shqiptare për të treguar si ka ndryshuar deri tani, duke bërë një paralelizëm me të shkuarën. Do të vizitohet gjithçka, nga malet e larta te bunkerët, portet e uzinat e braktisura, nga vendet e qeta në ato të zhurmshmet, duke trajtuar tema si problemet sociale, varfëria dhe emigrimi dhe duke përdorur herë pas here skenografi, për të dalë te dokufiksioni”, thotë Shehu. Më shumë se një dokumentar për francezët, Shehu e quan një dokumentar për identitetin tonë, treguar përmes gjërave që na bëjnë të ndihemi krenar për të shkuarën dhe kur ajo është e trishtë. Është interesante të shohësh, sipas Shehut natyrën, sesi ajo ka mbetur aq e brishtë në një vend që ka jetuar një nga diktaturat më të egra. Natyra i ngjason një thirrjeje dhe përmes saj imagjinon një të nesërme më të bukur. Historitë do të jenë të rëndësishme në këtë dokumentar. Historia e një vendi bëhet më e plotë përmes tregimeve mbi ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur. “Çdo qytet ka historinë e tij, një histori që lidhet fort me ndryshimet politike që i kanë ndodhur këtij vendi”, thotë Shehu. I tillë është Durrësi, një qytet i bukur jo vetëm për bregdetin, por që shpesh ka qenë i rëndësishëm për fatet e këtij vendi. Princ Vidi konsolidoi shtetin e parë shqiptar nga ky vend, rrëfimet e gazetarëve të huaj mbi vendin tonë nisin pikërisht nga mbërritja në këtë qytet…Do jetë një kombinim sipas Shehut, i tregimeve më të spikatura që duke u lidhur bashkë e sjellin si në një film historinë e këtij vendi. “Për realizimin, një ndihmë e madhe na u dha nga Luksemburgu, ku shoqata jofitimprurëse Feierblumm na ofroi mbështetjen me materialet (kamera, dron dhe GoPro). Mirëpo për të bërë një film duhet pak më shumë se sa një ide e mirë, një kamera dhe një ekip fantastik ku çdokush punon kundrejt asnjë pagese”, thotë Shehu. Pas studimeve në Strasburg, e vetmja gjë që ai mendon është të bëjë filma. Dhe në këtë kohë pasionesh pasuniversitare, një dokumentar për vendin tënd nuk ka si të jetë ndryshe, përveçse me dashuri.