Teatri izraelit i trembet ISIS në Shqipëri
“Klasa jonë”, drama e njohur që flet për vrasjen e 1600 hebrenjve në fshatin Jedwabne në Poloninë lindore, pritet të ngjitet dhe në skenën shqiptare. Drejtori i teatrit “Cameri”, Noam Semel, i trembet sigurisë në Ballkan
“Klasa jonë”, dramatizimi i një prej ngjarjeve që vazhdon të mbajë në tension raportet mes polakëve dhe hebrenjve, ku humbën jetën 1600 hebrenj, pas shfaqjeve në teatro të ndryshëm të botës pritet të udhëtojë dhe drejt Shqipërisë. Ka qenë drejtori i kompanisë teatrore “Cameri” Noam Semel, i cili ka folur dje për mediat e huaja për një tur ballkanik të kësaj vepre, ku përfshihet dhe Shqipëria. Semel ka treguar për një ceremoni në fund të këtij turi, ku do të marrin pjesë autoritete të larta shtetërore, në nder të gjithë atyre që kontribuuan për shpëtimin e jetës së hebrenjve. Ceremonia do të përkujtojë familjen Panariti, që ndihmuan hebrenjtë duke i marrë nga Selaniku për t’i fshehur në shtëpitë e tyre në Korçë. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, do të përfaqësojë familjen e tij në këtë ceremoni që do të mbahet në qytetin e Korçës. E pyetur mbi vënien e kësaj shfaqjeje në teatrin “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës, drejtoresha Zamira Kita tha se ende nuk ka pasur ndonjë kontakt nga pala izraelite apo ajo shqiptare. Shqetësimi i drejtorit të “Cameri” dje në media kishte të bënte me gjendjen e sigurisë në Ballkan. Ai tha se kishte kërkuar nga qeveria që t’i siguronte informacione lidhur me gjendjen e sigurisë. Kërkesa e tij vjen pas kërcënimeve më të fundit nga ISIS në drejtim të vendeve të Ballkanit, ku futet edhe Shqipëria. “Fola me ministrin e Kulturës, Miri Regeve, dhe i kërkova që të konsultohej me ministrin e Jashtëm dhe atë të Mbrojtjes, në mënyrë që të dërgojnë agjentët e tyre për t’u informuar rreth kërcënimeve të ISIS në Ballkan”, ka thënë Semel. Që me ngjitjen për herë të parë në skenë në vitin 2008, kjo vepër është pritur mirë nga kritika në teatro të ndryshëm të botës ku është shfaqur. Jo vetëm historia, por dhe mënyra regjisoriale e të konceptuarit të veprës e ka bërë atë të zërë faqet kryesore të mediumeve ndërkombëtare. Në qendër të dramës janë marrëdhëniet e ndërlikuara mes polakëve dhe hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Janë dhjetë fëmijë të një klase që përgjatë dy orëve teatër tregojnë atë çfarë ka ndodhur në një fshat polak. Dashuria dhe vrasja, kujtimet dhe harresa, përdhunimet dhe mëshira janë përzier në këtë pjesë të fuqishme dramatike që është befasuese dhe tronditëse në të njëjtën kohë. Vepra mund të quhet lokale dhe universale për mesazhet që mbart. Drama është bazuar në një histori reale, e cila ka ndodhur në fshatin Jedwabne në Poloninë lindore më 10 korrik të vitit 1941, kur fqinjët katolikë polakë hyn në shtëpitë e hebrenjve dhe u vunë zjarrin 1600 njerëzve. Pas një hetimi të ngjarjes në vitin 1949, ku vetëm disa burra u vendosën përballë drejtësisë për krimet e kryera, Jean Tomasz Gross historian shkroi një libër duke u bazuar në historitë e dëshmitarëve të mbetur gjallë. Në të njëjtën kohë, gazetarja polake, Ana Bikont, shkoi në Jedwabne për të sjellë më pas intervista që dëshmonin mbi brutalitetin dhe vrasjet, për t’i hedhur më pas në një libër. Bazuar në këto të dhëna, dramaturgu polak, Tadeusz Slobodzianek, shkroi këtë vepër. “Klasa jonë” është vepra e parë polake që mori çmimin “Nike” nga më prestigjiozët në letërsinë polake. Tadeusz Slobodzianek e mbaroi veprën së shkruari në vitin 2008 dhe për herë të parë u ngjit në skenë në Festivalin e Dramës Polake “The habima National Theatre”. Pas këtij festivali ajo është shfaqur në vende të ndryshme të botës, ku ka pasur sukses.