TEL AVIV – Eisenkot: Do të përmbushim misionin për ndryshimin e vendit dhe krijimin e një qeverie të re
TEL AVIV, 28 tetor /ATSH – ANSA/ -Kandidati kryesore në zgjedhjet israeliane, Gadi Eisenkot ka deklaruar se do të vijojë përpjekjet për të sjellë ndryshimin në Izrael dhe për të krijuar një qeveri të re, duke theksuar se kjo është vullneti i qytetarëve që kanë shprehur mosbesim ndaj qeverisë aktuale.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, pas publikimit të rezultateve pothuajse përfundimtare të zgjedhjeve, të cilat e nxjerrin partinë e tij në disavantazh, Eisenkot theksoi se e pret një punë e gjatë dhe e vështirë.
“Na presin ditë të tjera të gjata pune, por jemi të përqendruar në detyrën e vështirë që na është besuar: të sjellim ndryshimin në Izrael dhe të krijojmë një qeveri sioniste, të përkushtuar ndaj shërbimit ushtarak”, shkroi ai.
Eisenkot shtoi se qytetarët kanë shprehur mosbesim ndaj qeverisë, të cilën ai e cilësoi si përgjegjëse për dështimet e 7 tetorit dhe për shmangien e shërbimit ushtarak. Ai e përshkroi gjithashtu bllokun politik si të ndodhur në pikën më të ulët të historisë së tij në 20 vitet e fundit.
Duke falënderuar mbështetësit e tij, Eisenkot tha se ndien peshën e përgjegjësisë dhe të besimit që qindra mijëra qytetarë i kanë dhënë, duke theksuar se brenda një viti është krijuar një parti e re me shtrirje kombëtare, e cila synon të përfaqësojë një alternativë ndaj qeverisë aktuale.
“Do të përballemi me sfidën e madhe që kemi përpara, do ta çojmë deri në fund dhe do të kemi sukses”, përfundoi Eisenkot.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.