Tentuan të kalonin 91 kg kanabis drejt Greqisë, arrestohen çifti i bashkëshortëve në Kakavijë
Rreth 91 kilogramë kanabis janë sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa në pranga kanë rënë dy bashkëshortë nga Tirana, të dyshuar për trafikimin e lëndës narkotike drejt Greqisë.
Gjatë kontrollit të një furgoni që po dilte nga Shqipëria, shërbimet e Policisë zbuluan rreth 88 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Pakot ishin fshehur në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e mjetit, poshtë shtresës së saj.
Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë drejtuesi i furgonit, K. A., 28 vjeç, dhe pasagjerja B. A., 25 vjeçe, bashkëshortë me njëri-tjetrin dhe banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis, si dhe furgoni.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.