‘The Economist’: Dështon projekti Thaçi-Vuçiç për kufijtë
Revista prestigjioze britanike “The Economist” i ka kushtuar një artikull idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, që së fundmi është përfolur shumë si në Prishtinë ashtu dhe në Beograd.
Siç shkruan “The Economist”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në gusht të këtij viti njoftuan në një konferencë në Alpbach të Austrisë, se do të shqyrtonin ndryshimin e kufijve, si pjesë të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që edhe është kusht për anëtarësimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian, transmeton Telegrafi.
Ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë është hedhur poshtë nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, si vijë e kuqe që rrezikon ringjalljen e konfliktit etnik, por komentet e zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-ve gjatë muajit gusht janë parë më shumë si ndryshim i qëndrimit.
Sipas “The Economist”, ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndodh gjatë periudhës 2018-2022. Një propozim i tillë do të kundërshtohej si brenda qeverisë së Kosovës, por edhe nga vendet si Gjermania dhe Britania e Madhe që nuk pajtohen me idenë e kufijve të rinj.
Propozimi për ndryshim të kufijve mund të jetë një taktikë negociuese nga presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, për të përgatitur votuesit e BE-së dhe ata të brendshëm që të gjejnë një zgjidhje më modeste që do të jetë e arritshme për Kosovën dhe Serbinë.
Sidoqoftë, derisa perspektiva e anëtarësimit të Serbisë në BE mbetet larg, nuk pritet që Vuçiq të rekomandojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjë që e kundërshtojnë edhe shumica e serbëve.
Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, zyrtarisht nuk i kanë paraqitur detajet specifike për ndryshimin e mundshëm të kufijve. Megjithatë, sipas komenteve nga autoritetet kosovare dhe serbe, duket se ekzistojnë tri opsione.
E para i kushtohet plotësisht veriut të Kosovës, në të cilën përfshihen katër komunat me shumicë serbe, që synojnë të bëhen pjesë e Serbisë.
E dyta ka të bëjë me “transferimin” e pjesës veriore të Kosovës në Serbi, derisa komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës do t’i kalonin Kosovës.
E treta do të kthente kufijtë që kanë ekzistuar në vitin 1956, ku disa fshatra të Kosovës kryesisht të banuar me serbë do t’i kalonin Serbisë, në këmbim të disa fshatarëve të banuara kryesisht me shqiptarë që do t’i kalonin Kosovës.
Ky opsion nuk do ta “transferonte” pjesën veriore të Mitrovicës, që konsiderohet zona më e madhe urbane në Kosovë e banuar me popullsi serbe. Sidoqoftë, nuk janë shpalosur detajet për marrëveshjen përfundimtare, siç janë të drejtat dhe statusi i serbëve që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, statusi pronësor që i përket Kishës Ortodokse Serbe apo anëtarësimi potencial i Kosovës në OKB (ide kjo të cilën fuqishëm e kundërshton Serbia).