The Economist: Klima e investimeve në Shqipëri, ndër më të vështirat në rajon
Në raportin e fundit të agjencisë britanike të kërkimeve “The Economist Intelligence Unit” nënvizohet se Shqipëria do të ketë një stabilitet politik në dy vitet e ardhshme, pavarësisht se dy partitë kryesore ende nuk kanë rënë dakord për reformën në Drejtësi dhe dekriminalizimin e zyrtarëve. Megjithatë zgjedhjet në 2017, shkruan The Economist në raport, do të jenë një provë për vendin tonë. Sa i përket disa aspekteve të analizuara në raportin për Shqipërinë, i publikuar ditën e sotme, për marrëdhëniet ndërkombëtare përmendet kryesisht integrimi europian si një prioritet i politikës së jashtme. Ndërsa sa i përket aspekteve ekonomike, sipas raportit, agjencia rishikon me ulje parashikimin e rritjes reale të PBB-së në Shqipëri në vitin 2016 në 3% (më parë 3.3%).
Trendet
Pavarësisht nga përmirësimet, klima e investimeve në Shqipëri ka të ngjarë të mbeten ndër më të vështira në rajon, nënvizon raporti. Mangësitë në administratën publike dhe sistemin ligjor, korrupsioni i përhapur, furnizimi me energji elektrike i pamjaftueshëm, (edhe pse i përmirësuar), si dhe infrastruktura e dobët, paraqesin probleme veçanërisht të vështira për vendin tonë.
Politikat fiskale
Konsolidimi fiskal është një prioritet për qeverinë, nënvizon raporti, teksa ajo përpiqet për të ulur deficitin buxhetor, i cili u rrit në 5% të PBB-së në vitin 2013, për shkak të shpenzimeve parazgjedhore. Deficiti buxhetor u zgjerua me 5.2% të PBB-së në vitin 2014, kryesisht si rezultat i pagesës së detyrimeve të prapambetura ndaj sektorit privat. Raporti tregon se qeveria shleu pjesën më të madhe të borxheve të saj deri në fund të 2015. Goditja e evazionit fiskal ose ndryshe reforma e antiinformalitetit, ndihmoi për të ngushtuar deficitin fiskal në 4% të GDP në vitin 2015. “Ne konsiderojmë se objektivi i qeverisë prej I deficitetit të borxhit prej 2.2% të PBB-së është shumë optimiste; megjithatë, ne parashikojmë se deficiti do të bjerë në mënyrë të konsiderueshme, në 2.9% të PBB-së, si rezultat i rritjes më të shpejtë ekonomike dhe përmirësimit të mbledhjes së taksave.”- thekson agjencia.
Politikat monetare
Që nga gushti 2011, kur norma e saj e interesit qëndronte në 5.25%, Banka e Shqipërisë ka ulur normën në 15 raste të ndryshme, nga një total prej 375 pikë bazë, duke e çuar atë deri në një rekord të ulët prej 1.5% në prill të vitit 2016.
“Pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) në mars 2016 për të zgjeruar politikën e saj të lehtësimit monetar, ne besojmë se Banka e Shqipërisë ka hapësira për të ulur normën, për të stimuluar kreditimin. “- thuhet në raport.
Rritja ekonomike dhe inflacioni
The Economist shkruan se pritet një trend pozitiv për të përshpejtuar në mënyrë modeste rritjen ekonomike në 2016-17 . Eksportet, nënvizojnë ata, do të përfitojnë, sidomos jashtë eurozonës, nga një dobësim i monedhës vendase
Raporti tregon se Pasiguria në lidhje me zbatimin e programit të tretë të ndihmës ndaj Greqisë mbetet dhe rreziku i vendit që ka për të lënë zonën e euros, gjatë pesë viteve të ardhshme është ende e lartë, në 60% sipas vlerësimit të agjencisë.
“ Raundi i ri i masave shtrënguese që Greqia do të jetë e detyruar për të futur si pjesë e fundit kushteve për përfitimin e ndihmës, do të reduktojë kërkesën greke për eksportet. Megjithatë, pas gjashtë viteve të krizës ekonomike, Greqia nuk është më aq e rëndësishme si partner tregtar për Shqipërinë. “- thuhet raport.
The Economist ka rishikuar me ulje parashikimin e rritjes reale të PBB-së në Shqipëri në vitin 2016 në 3% (më parë 3.3%). “Ne parashikojmë që rritja reale e PBB-së do të përshpejtohet në 3.4% në vitin 2017, teksa veprimtaria ekonomike do të zgjerohet për tregun Itali-Shqipëri, si dhe pritet që Greqia të dalë nga recesioni; Këto zhvillime do të rrisin kërkesën për eksportet shqiptare dhe njëkohësisht do të rrisin remitancat e imigrantëve”.
The Economist parashikon që inflacioni mesatar do të ndryshojë pak në vitin 2016, në 1.8%. Një reagim në çmimet ndërkombëtare të mallrave dhe rritja e konsumit të brendshëm, përpara zgjedhjeve të mesit të vitit të ardhshëm sakaq, do të çojë inflacionin në një mesatare prej 2.3%, në vitin 2017.