Ekonomia

Tirana manifestim në mbështetje të Ukrainës, Kim: Bashkohem me ju. Veliaj: Krenar për shqiptarët

Qindra qytetarë u mblodhën sot në një manifestim në Tiranë, në mbështetje të Ukrainës, e cila po përballet me agresionin rus, i cili ka shkaktuar deri tani mijëra viktima.

Manifestimit që mbushi me flamujt e Ukrainës qytetin e Tiranës, nga Sheshi “Skënderbej” deri te rruga “Ukraina e Lirë”,  iu bashkuan edhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zyrtarë të tjerë, të cilët u mblodhën në sheshin Skënderbej.

Më pas qytetarët me flamujt e Ukrainës në duar dhe pankarta marshuan drejt ambasadës së Ukrainës.

Përpara ambasadës ukrainase u ekzekutua Himni i Ukrainës dhe më pas ai shqiptar.
Manifestimin e përshëndeti me një videomesazh kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i cili falënderoi Shqipërinë për mbështetjen në këto momente të vështira për vendin e tij.

Ambasadori Shkurov: Faleminderit Shqipërisë dhe shqiptarëve për solidaritetin njerëzor

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, në fjalën e tij tha se “sot po ju drejtohem në emër të popullit tonë që me kurajo ka mbrojtur atdheun tonë në 43 ditët e shkuara. Kjo përpjekje ka marrë një shkallë epike me manifestimin e virtyteve më të larta të Ukrainës, që më bëjnë krenar të them që jam ukrainas. Ju të gjithë e keni parë tmerrin e lënë pas nga ushtarët rusë në qytetet e Ukrainës, ngacmimet, vrasjet dhe dhuna ku përfshihen edhe të miturit”.

“Kjo bëhet me qëllim dhe cinizëm, të cilat tregojnë reflekset kafshërore të agresorit dhe një dëshire për të nëpërkëmbur popullin tonë. Sot e kësaj dite armiku po përqendron mijëra tanke, raketa dhe helikopterë në Ukrainën Lindore dhe ne e dimë që ata nuk do të ndalojnë. Për këtë arsye, i bëj thirrje botës së qytetëruar për të transferuar armët e nevojshme dhe të ndërmarrin sanksionet më të rënda ndaj Rusisë. Bucha na lë pa asnjë farë dyshimi se Rusia nuk rrezikon me brutalitetin e saj vetëm Ukrainën, por të gjithë botën demokratike”, tha Ambasadori Shkurov.

Kim: Shqiptarët e dinë mirë çfarë do të thotë që dikush të të mohojë ekzistencën  tënde

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, shprehu sot solidaritetin e saj për luftën në Ukrainë, teksa mori pjesë në manifestimin e organizuar në Tiranë.

Ajo theksoi se populli shqiptar e di shumë mirë se çka do të thotë që të mundohen që të shuajnë ekzistencën e një kombi.

“Por siç tha Presidenti Biden në fjalën e tij, Putini i ka bërë keq llogaritë, ai mendoi se mund të futej në Ukrainë dhe bota do t’i hapte rrugën, në vend të kësaj ai u ndesh me një mur të fortë që nuk e kishte parashikuar kurrë. Ai u ndesh me popullin e Ukrainës. Është nder për mua të qëndroj këtu së bashku me mikun dhe kolegun tim, ambasadorin Shkurov dhe për t’i shpreh mbështetjen e popullit të Shteteve të Bashkuara që qëndrojmë me Ukrainën kundër këtij agresioni”, tha Kim.

Ambasadorja Kim theksoi se “çdo shqiptar që është i pranishëm këtu sot dhe çdo shqiptar që mund të mos jetë i pranishëm këtu sot, bie dakord me këtë. Nuk e them këtë thjeshtë sepse ju jeni aleatë me SHBA dhe NATO. Nuk e them vetëm sepse jeni pjesë e Evropës dhe prisni plotë zell që të bëheni pjesë e BE. E them, sepse nuk ka njerëz, nuk ka persona, nuk ka popull më të fort se shqiptarët, të cilët e dinë fort mirë se çfarë do të thotë që dikush të të mohojë ekzistencën tënde”.

“E kuptoni fare mirë se çdo të thotë kur dikush vjen kundër jush. Askush nuk e di më mirë tmerrin e të larguarit e të arratisurit prej bombave dhe terrorizmit. Askush nuk e njeh më mirë agoninë e të hapurit të varreve për të vdekurit apo persona të afërt tuaj që kanë vdekur apo më keq akoma, pamundësia për t’i dhënë një varr atyre që kanë vdekur.  Askush nuk e njeh më mirë vlerën dhe ngushëllimit kur dikush shtrin dorën drejt një miku që ka nevojë. Bashkohem me ju për të shprehur solidaritetin me miqtë e Ukrainës dhe për të thënë “rroftë Ukraina”, tha ambasadorja Kim.

Veliaj: Tirana tregoi se është më evropiane se kurrë më parë

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh mirënjohës për qytetarët e Tiranës që iu bashkuan manifestimit, për të treguar se Tirana nuk hesht përpara mizorive ruse.

“Jam mirënjohës për djemtë dhe vajzat, të rinjtë e qytetit tonë, për ata që na ftuan, ata që na mblodhën bashkë, sepse një qytet që ka ndërgjegje, një qytet që lë mënjanë bindjet politike, bindjet fetare, prejardhjen e tij dhe fokusohet tek humanizmi, është një qytet që ka të ardhme. Kur ndaheshin çmimet “Grammy”, Presidenti Zelenksy tha: “Na ndihmoni me çfarë të mundeni, por jo me heshtje, se heshtja nuk është ndihmë”. Heshtja në fakt është konfirmim që ajo që po ndodh është diçka shumë larg, ajo që po ndodh nuk na prek. Fakti që sot Tirana është mbledhur bashkë, për të treguar se ne nuk heshtim edhe përballë ambasadës ruse, në një rrugë që quhet “Ukraina e lirë”, tregon se ky qytet do të mbajë një qëndrim derisa kjo luftë të mbarojë,” tha ai.

Veliaj u shpreh krenar, veçanërisht për shqiptarët që kanë hapur dyert për të pritur refugjatët e luftës në Ukrainë.

“Sot jam shumë krenar për Fatbardhën. Ajo ka hapur shtëpinë e saj për 51 fëmijë nga Ukraina. Unë nuk e di – dhe jam i sigurt se as Fatbardha nuk e di – se cili prej atyre 51 fëmijëve do të jetë Zelensky i ardhshëm, kush do të jetë Klitschko i ardhshëm, sopranoja apo tenori i ardhshëm, por fatkeqësisht, misioni i Fatbardhës nuk po mbaron. Ne na duhen të gjithë Fatbardhët e Shqipërisë, të gjithë ata burra dhe gra që kanë mundësi, sepse vetëm në këtë javë ne po presim fëmijë të tjerë dhe nuk e dimë sa do të vazhdojë kjo barbari. Ndaj, do të na duhet çdo njeri që ka mundësi, qoftë duke dhënë të mira materiale, qoftë duke hapur shtëpinë e tij, të tregojë se ne këtu jemi të gjithë si Fatbardha. Kemi një derë të hapur, kemi një mendje të hapur, e mbi të gjitha, kemi një zemër të hapur, siç e treguam me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç e treguam me afganët përpara një viti dhe siç do ta tregojmë me popullin e Ukrainës, për sa kohë që të ketë nevojë,” u shpreh ai.

Duke folur në gjuhën diplomatike, Veliaj iu drejtua diplomatëve rusë në Tiranë të rreshtohen në anën e duhur të historisë.

“Ne nuk jemi këtu për të bërë presion për diplomatët rusë, këtu pas shpatullave tona – ne nuk jemi vandalë, nuk jemi rrugaçë, nuk jemi dhunues, nuk jemi të vrazhdë, nuk jemi vulgarë, por është një moment për të thënë: Dakord, në Rusi ndoshta censurohet media, po për ata që jetojnë këtu në Tiranë, që mund të hapin faqet e internetit dhe të shikojnë shumë prej televizioneve tona, nuk mund të thonë që kjo është një skenë Hollywood-i, nuk mund të thonë se qindra vende masakrash janë skena Hollywood-i. Ndaj, thirrja jonë është edhe për ta, është momenti për të bërë një akt dinjitoz, të lënë shërbimin ndaj një qeverie gjakatare, të lënë shërbimin diplomatik ndaj atyre që dhurojnë me barbari që as i kishim imagjinuar kurrë ndërkohë që po rriteshim, ndërkohë që pamë se çfarë ndodhi në Kosovë dhe në fakt, që nga Lufta e Dytë Botërore, pas asaj që ndodhi me hebrenjtë, kemi thënë: “Never again!”, tha kreu i bashkisë së Tiranës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button