Tirana pret më 25 dhe 26 nëntor Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, marrin pjesë Marta Kos dhe Charles Michel
Tirana do të mirëpresë më 25 dhe 26 nëntor edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku pritet të mblidhen përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare, drejtues të institucioneve financiare, investitorë dhe sipërmarrës nga rajoni dhe më gjerë.
Mes personaliteteve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet janë Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Në konferencë do të jenë gjithashtu përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Botërore, si dhe përfaqësues të fondeve të investimit, startup-eve dhe investitorë ndërkombëtarë.
Nën moton “Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve evropiane”, forumi synon të promovojë potencialin ekonomik të rajonit dhe të krijojë mundësi të reja për tërheqjen e kapitalit dhe investimeve. Gjatë dy ditëve të aktivitetit do të zhvillohen shtatë sesione tematike, të fokusuara në shndërrimin e potencialit ekonomik të Ballkanit Perëndimor në projekte konkrete dhe investime të qëndrueshme e afatgjata.
Konferenca synon gjithashtu të nxisë integrimin më të thellë ekonomik të vendeve të rajonit në tregun evropian dhe atë global, si dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian.
Shqipëria e pret këtë edicion me shifra rekord në thithjen e investimeve të huaja direkte. Gjatë vitit 2025, ekonomia shqiptare tërhoqi 1.64 miliardë euro investime të huaja direkte, ndërsa të dhënat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se në vitin 2026 kjo shifër mund të kalojë për herë të parë kufirin e 2 miliardë eurove.
Forumi zhvillohet në prag të vitit 2027, kur Shqipëria synon të përmbyllë negociatat për të gjithë kapitujt e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Edicioni i dytë vjen pas konferencës së parë të organizuar në Tiranë në vitin 2025, ku u prezantuan marrëveshje dhe projekte me potencial investimi prej mbi 4 miliardë eurosh. Në atë edicion u shpreh edhe angazhimi që ky takim të kthehej në një traditë të përvitshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.