Tiranë, vritet me armë zjarri ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku
Një ish-zyrtar i Policisë së Shtetit është qëlluar për vdekje me armë zjarri në mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:00, pranë banesës së tij në kryeqytet, Rruga e Kosovarëve, zonën e Liqenit Artificial në Tiranë.
Viktima është shtetasi Artan Cuku, ish-zyrtar në Policinë e Shtetit, që ka mbajtur poste të larta në Policinë e Shtetit, si zv. drejtor i Policisë së Tiranës në vitet 2009-2011, zv. drejtor i Fierit, Drejtorit të Policisë së Vlorës në vitet 2012-2013. Dyshohet se vrasja është bërë për shkak të detyrës.
Forca të shumta policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e saj. Dyshimet e para janë se vrasja e tij është bërë për hakmarrje për një vrasje që ka ndodhur në vitin 2004. Mësohet se janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Tiranës për të bërë të mundur kapjen e autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar me një motor në drejtim të paditur.
Artan Cuku ka lindur në 25 janar 1975 në Lurë të Dibrës dhe është baba i dy fëmijëve.