Tom Cruise dhe distanca që e ndan nga Suri
Tom Cruise ka deklaruar se nuk ka qenë në gjendje të shohë vajzën e tij Suri për muaj të tërë, për shkak të xhirimeve të “Mission Impossible 5” në Londër dhe aktualisht është duke numëruar orët para se të kthehet tek vogëlushja e tij.
Por për mediat amerikane “rozë”, misioni i Cruise për të parë vajzën nuk ka qenë edhe aq i pamundur, pasi gjatë xhirimeve ai ka pasur dy javë pushim.
Burime të afërta me ish-bashkëshorten e tij Katie Holmes kanë deklaruar për TMZ se, situata është edhe më keq se kaq. Ato thonë se Tom ka një vit të tërë pa e parë 8-vjeçaren.
Por përfaqësuesit e aktorit e kanë përgënjeshtruar një lajm të tillë duke thënë se ai e ka takuar vajzën, por larg kamerave. Por burimet konfidenciale të TMZ insistojnë të kundërtën.
Ndërkohë, spekulimet se Tom po distancohet gjithnjë e më shumë nga Katie dhe Suri për shkak të aderimit të tij në sektin “Scientology” sa vijnë e shtohen.
Por edhe ky informacion, sipas portalit “Yahoo!” që thotë se ka kontaktuar kishën, nuk është i vërtetë. Mesa duket, Tom i është kthyer punës dhe ndodhet për një xhirim 90-ditor në Atlanta.