Tonelata hashashi në Itali, arrestohen 12 shqiptarë në Breshia
Një super operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës u ndërmor mbrëmjen e 27 nëntorit në Breshia.
Mediat italiane bëjnë me dije se bëhet fjalë për 12 shtetas shqiptar dhe 8 italianë. Ata ishin pjesë e një organizate kriminale që sipas forcave të rendit, importonte kokaine nga Holanda dhe mariuanë nga Shqipëria përmes kanaleve e mekanizmave të ndryshëm.
Në rrjetën e policisë përfunduan trafikantë, ndërmjetës, korrierë e shpërndarës në të gjithë Italinë. Siç mësohet, trafikantët udhëtonin në Europën veriore me avion nga Breshia për ta ngarkuar më pas kokainën në fundin e dyfishtë të automjeteve.
Më pas lënda narkotike mbërrinte në Itali për të furnizuar tregun atje. Kurse hashashi arrinte territorin italian përmes skafisteve, që siç thonë mediat niseshin nga Shqipëria me gomone të mbushura plot. Pasi shkarkohej, droga dërgohej nga korrierët deri në Italinë veriore. Ndërkaq në një operacion tjetër në Katania policia vuri në pranga një shtetas shqiptar e një italian dhe sekuestroi 31 kg hashash.
Autoritetet lokale ishin sinjalizuar se mbrëmjen e 27 nëntorit shtetasit Agatino Piano do t’i dorëzohej sasia e drogës nga korrieri shqiptar Vladimir Kapaj, 41 vjeç, duke i kapur në flagrancë ata.