Tony Blair: “BE mund të rikthejë Britaninë”
Ish-lideri britanik, Tony Blair thotë në një intervistë për Euronews se Bashkimi Evropian duhet të tregojë lidership gjatë Brexit-it dhe nëse ai përballet me problemet themelore të projektit evropian, atëherë Britania e Madhe mund të qëndrojë në bllok.
“I jap një mesazh të fuqishëm liderëve evropianë. Ata duhet të tregojnë lidership në këtë situatë. E vërteta është se të gjitha shqetësimet që janë shfaqur në Britani, e që çuan deri tek Brexit mund të shfaqen edhe në çdo vend tjetër evropian, thjeshtë në Britani ndodhi që u mbajt një referendum për qëndrimin apo daljen nga BE-ja” tha ai. Në intervistën e tij ku foli edhe për presidentin Donald Trump dhe Lindjen e Mesme, Blair tha se dalja e Britanisë nga BE mund ta dëmtonte bllokun ekonomikisht dhe politikisht dhe sfidoi liderët evropianë të ndërmarrin iniciativa për të bërë reforma që do ta mbanin Britaninë në klub.
“Nëse Brexit shkon deri në fund, Evropa do të zvogëlohet si entitet, do të humbasë një ekonomi të madhe dhe një lojtar politik me peshë. Evropa do të jetë më e dobët. Por, Brexit duhet të jetë një mundësi që Evropa të përballet me disa çështje thelbësore për të gjithë qytetarët. Dhe nëse kjo bëhet atëherë mund të gjejmë një mënyrë që Britania të qëndrojë në bllok”, tha ai.
Blair sidoqoftë nuk identifikoi asnjë problem specifik. Kritikët e tij e akuzojnë se është pjesërisht fajtor për dështimin në trajtimin e problemeve që çuan tek Brexit, si rregullat e BE mbi lëvizjen e lirë. Nën udhëheqjen e tij, Britania e Madhe hapi dyert për punonjësit nga shtetet e reja anëtare të BE më herët nga sa duhej pas zgjerimit të 2004.