Europa

Tony Blair nuk do të jetë më i dërguari për Lindjen e Mesme; ish-kryeministri britanik jep dorëheqjen

Ish-kryeministri britanik Tony Blair do të japë dorëheqjen nga detyra e tij si i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Rusisë dhe OKB-së në Lindjen e Mesme.

Lajmin e bëjnë të ditur burime të afërta me Blair, të cituara nga BBC, sipas të cilave ai pritet të braktisë postin muajin e ardhshëm, “pasi të plotësojë angazhimet e marra”.

Blair, që e mori këtë post vetëm pak orë pasi u largua nga ai i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2007, i ka shkruar sekretarit të përgjithshëm të OKB për të konfirmuar vendimin e tij.

Megjithatë, kanë shtuar burimet, ai do të vazhdojë të mbetet aktiv ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me rajonin e Lindjes së Mesme.

“Zoti Blair do të mbetet plotësisht i angazhuar për të asistuar bashkëpunimin e komunitetit ndërkombëtar me Izraelin dhe Palestinën, për të sjellë progres në arritjen e zgjidhjes që parashikon krijimin e dy shteteve”, kanë thënë Burimet.

Sipas tyre, Blair beson se mund të japë kontributin e tij duke punuar me lojtarët që kanë influencë kyçe në rajon, SHBA, BE dhe të tjerët, edhe pa pasur një rol zyrtar.

Zoti Blair u ndikua në këtë vendim nga fakti se posti i tij ishte i kufizuar vetëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Palestinës dhe forcimin e institucioneve të saj, shtojnë burimet. Por, pavarësisht këtyre kufizimeve, ai beson se në 8 vitet e fundit është arritur së tepërmi.

Tani ish-kryeministri do të përqendrohet në përforcimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe botës Arabe, gjë që sipas tij mund të ndihmojë në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund bllokimeve të njëpasnjëshme të procesit të paqes me Palestinën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button