“Topin e Artë” në këmbim të një flirti me Irinën?
Presidenti i dorëhequr në mënyrë të turpshme nga drejtimi i FIFA-s, Sepp Blatter, është përfshirë në listën e “ish-të dashurve” të modeles ruse, Irina Shayk, në një histori “rozë” tepër bombastike që ka pushtuar titujt kryesorë në të gjithë botën.
E përditshmja spanjolle “El Mundo” bëri publik pretendimin sensacional për një lidhje të ish-shefit të futbollit botëror dhe ish-të fejuarës së Cristiano Ronaldos, përmes një artitulli të publikuar ditën e enjte, të titulluar “Të gjitha gratë në jetën e Blatter”.
Në artikullin në fjalë thuhej se 79-vjeçari “kishte pasur një marrëdhënie” me bukuroshen ruse, vetëm pak pasi kishte përjetuar një flirt me tenisten Ilona Boguska, por përpara se të takohej me të famshmen Linda Barras, 50-vjeçare.
Blatter ia kishte hedhur sytë Ilonas, e lindur në Poloni dhe mikeshë e vajzës së tij Corinne, në vitin 1995, por pas një lidhjeje 7-vjeçare ata u ndanë në vitin 2002, siç pretendon “El Mundo”. E megjithatë, Blatter nuk e harroi dot, dhe u hodh sërish në krahët e saj, pas martesës së shkurtër të vitit 2002 me Graziella Bianca, një trajnere delfinësh, e cila sërish ishte mikeshë e vajzës së tij.
Blatter mësohet se ishte afruar së tepërmi me zviceranen Barras, një personalitet shoqëror, në fillim të vitit 2014, madje ajo e kishte prezantuar si “të dashur” nëpër mediet zvicerane dhe ndërkombëtare, edhe pse burri i saj këmbëngulte se ata të dy ishin thjesht “miq të afërt”.
Artikulli, që bën fjalë për lidhjen e Blatterit me Shayk është shkruar nga korrespondentja e “El Mundo”-s nga kryeqyteti gjerman i Berlinit, Rosalia Sanchez. Sipas saj, topmodelja ruse ishte zbuluar nga një burim zviceran, teksa ajo ishte duke investiguar jetën dashurore të shefit në largim të FIFA-s.
Një zëdhënës nga Nju Jorku i modeles ruse ka refuzuar të komentojë mbi këto pretendime, por një burim pranë vetë Irina Shayk është cituar të ketë thënë se “kjo është tërësisht e pavërtetë”.