Totozani takon Ambasadorin Lu, të drejtat e njeriut kryefjalë
Avokati i Popullit Igli Totozani priti sot Ambasadorin e SHBA-se në Tiranë Donald Lu, teksa mësohet se kryefjalë e takimti ka qenë çështja e të drejtave të njeriut.
Ky ishte takimi i parë mes tyre që pas marrjes së akreditimit të ambasadorit amerikan në Tiranë. Takimi në ambjentet e Avokatit të Popullit nisi në orën 11:10 dhe ka zgjatur rreth 50 minuta.
Në fillim të takimit Avokati i Popullit falenderoi ambasadorin Lu për mbështetjen që ambasada amerikane ka dhënë dhe vazhdon të japë për institucionin gjatë këtyre viteve.
Gjithashtu në fillim të takimit Avokati i Popullit Igli Totozani i dhuroi ambasadorit Lu dy numrat e parë të revistës së Avokatit te Popullit ku trajtohen gjerësisht problemet dhe shqetësimet e qytetarëve.
Nga ana e tij ambasadori amerikan u interesua për gjendjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë për të cilën Avokati i Popullit bëri një panoramë të përgjithshme me problemtikat kryesore që shqetësojnë qytetarët. Gjithashtu Avokati i Popullit paraqiti dhe sfidat kryesore me të cilat përballet institucioni i Ombudsmanit për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ambasadori amerikan Donald Lu shprehu mbështetjen e tij për institucionin dhe punën e Avokatit të Popullit në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetje e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në fund të takimit Avokati i Popullit dhe ambasadori amerikan vizituan së bashku zyrat e institucionit duke takuar personelin dhe stafin e Avokatit të Popullit.