Tradita shqiptare në Skoci, përmes koncertit “Shqipëria në sytë e Bajronit”
Kultura dhe tradita shqiptare mbërritën në Edinburg të Skocisë, ku kënga, vallja dhe kostumet popullore sollën në skenë një pjesë të identitetit kombëtar.
Për herë të parë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore prezantoi artin tradicional shqiptar në një skenë skoceze, përmes koncertit “Shqipëria në sytë e Bajronit”, një projekt i organizuar nga Empowered Women of Diaspora.
Në ambientet e Assembly Rooms, një prej sallave historike të Edinburgut, artistët shqiptarë performuan përpara një publiku të përbërë nga shqiptarë, skocezë dhe të huaj. Këngët tradicionale, vallet karakteristike dhe veshjet popullore përcollën pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore, duke krijuar një ndërthurje mes artit, historisë dhe traditës.
Një vend të veçantë në këtë spektakël zuri edhe figura e poetit anglez Lord Bajron, si dhe lidhja e tij me Shqipërinë. Përmes interpretimit të aktorit Robert Wilton, i cili solli në skenë figurën e poetit, publiku pati mundësinë të ndiqte një rrëfim artistik që ndërthuri historinë e Bajronit me trashëgiminë shqiptare.
Pas këtij prezantimi artistik qëndronte një punë e gjatë përgatitore, ku angazhimi i valltarëve dhe artistëve u përqendrua në përcjelljen sa më autentike të traditave të krahinave të ndryshme shqiptare. Për artistët e Ansamblit, prezantimi në Edinburg përbënte një tjetër mundësi për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe për të ndarë me publikun e huaj vlerat e trashëgimisë kombëtare.
Mbrëmja u përmbyll mes duartrokitjeve, në një atmosferë ku muzika dhe vallja shërbyen si ura komunikimi mes kulturave dhe komuniteteve të ndryshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.