Transferimi në Fier, reagon Veliaj: Rrëmbim policor, nuk më tregojnë urdhrin! Kërkoj ndërhyrje urgjente
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka denoncuar këtë të mërkurë një përpjekje për ta transferuar nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt burgut të Fierit, duke e cilësuar procedurën si një “rrëmbim policor”.
Përmes një deklarate për shtyp nga IEVP Durrës, Veliaj bën të ditur se një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur për të realizuar transferimin e tij.
Sipas kryebashkiakut, pavarësisht kërkesave të përsëritura të tij dhe avokatit mbrojtës, autoritetet kanë refuzuar t’u vënë në dispozicion aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet ligjore që e justifikojnë atë.
“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, deklaron Veliaj.
Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe ka kundërshtuar mënyrën e realizimit të tij, të cilën e konsideron jotransparente dhe në shkelje të të drejtave të tij ligjore.
Në përfundim, Veliaj i drejtohet publikisht ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre urgjente për të verifikuar arsyet e transferimit, të cilin ai e cilëson politik.
Deri në këtë moment, në deklaratën e kryebashkiakut nuk sqarohet nëse transferimi është realizuar apo është kundërshtuar vetëm tentativa për kryerjen e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.