Libri

Transformimet demokratike në Shqipëri përmes veprës së Ismail Kadaresë

Nga Dorian Koci

Ky vit filloi mbarë për kulturën shqiptare. Shkrimtari ynë, Ismail Kadare, nderohet me dekoratën më të lartë të shtetit francez “Legjioni i Nderit”. Studimet mbi tranzicionin dhe ndryshimet politike që përfshinë Europën Juglindore në kapërcyellin e viteve ’90 janë fokusuar kryesisht në vektorët politikë dhe ekonomikë, duke lënë paksa mënjanë vektorin kulturor dhe përfshirjen e elementeve kulturore në këto transformime politike të rëndësishme që shënuan rënien e komunizmit dhe triumfin e demokracisë liberale.

Shqipëria dhe rasti shqiptar nuk bën përjashtim nga kjo përqasje analitike ndaj tranzicionit në Europën Juglindore, por duke qenë se rasti i saj është më specifik se shtetet e tjera të ish-kampit socialist, analizimi i vektorit kulturor meriton një vëmendje të veçantë. Studimi mbi fushën e kulturës dhe të ligjësisë tregon se në shoqërinë qytetare marrëdhënia mes moralit dhe zgjedhjeve individuale dhe norma prodhon shumë më shumë sugjerime për t’i përkthyer në ligje dhe programe politike.

Tranzicioni politik në Shqipëri, i filluar në dhjetor 1990 me pranimin e pluralizmit politik, e ka një histori dhe eksperiencë të filluar së pari në shndërrimin e kulturës shqiptare në një katalizator të ndryshimeve në vend. Pa dyshim një figurë e rëndësishme e shndërrimit të kulturës shqiptare nga një kulturë socialiste e fokusuar në rolin e saj meseanik rreth Njeriut të Ri, në një kulturë ku spikaste liria individuale si liri personale dhe liri krijuese për të përçuar mesazhe humane dhe rrjedhimisht një liri më të madhe mendimi të audiencës, është figura dhe personaliteti i Ismail Kadaresë. Në vazhdimësinë e veprave të shumta të Ismail Kadaresë ka me qindra mesazhe humane që tejkalonin “Perden e hekurt” dhe tregonin një Shqipëri të pazakontë, që vuante nën totalitarizëm, por me njerëz normalë të cilët përpiqeshin të ishin po aq europianë sa dhe kombet e tjera europiane.

Në vitin 1987, pas një sorollatjeje të gjatë nëpër zyrat e shtetit, u botua romani i shkrimtarit Ismail Kadare “Koncert në fund të dimrit”, ku autori bënte një autopsi të komunizmit kinez, korrente të të cilit kishin fryrë dhe në Shqipëri. Për lexues të kualifikuar nuk ishte e vështirë të kuptoje përmes faqeve të tij aparatin e dhunës, si dhe represionin në jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë. Në vepër mungonte një personazh kryesor pozitiv, i cili përçonte një mesazh pozitiv për të ardhmen. Romani mbyllet me personazhin e plakës Hasije, e cila ngatërron pushtuesit osmanë me kinezët, duke lëshuar një alegori të fortë se Shqipëria kish qenë e mbetej e përhershme dhe jo ideologjitë që vinin e iknin. Për më tepër, për herë të parë në një vepër artistike hidhej dritë mbi anën njerëzore të ngjarjeve të përgjakshme të të ashtuquajturit puç ushtarak në vitin 1974, tema tabu për opinionin shqiptar të kohës që ishte i detyruar të lexonte vetëm variantin politik në orët e gjata të edukimit politik.

Në përgjithësi, regjimi komunist nëpërmjet hierarkëve më të lartë në kulturë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin prodhim i drejtpërsëdrejti i shkollave sovjetike dhe atyre kuadrove të krijuar gjatë të ashtuquajturit revolucionit tekniko-shkencor, një përpjekje mjerane e komunizmit shqiptar për t’iu kundërvënë revolucionit hi tech dhe dijeve të thelluara në Perëndim, u përpoq që të ringjallte një frymë liberalizimi të kontrolluar përmes levave dhe forumeve të Partisë së Punës. Në këtë kontekst, koncepti i kritikës së drejtë dhe autokritikës i zhvilluar rreth viteve ’70 nga diktatori Hoxha u rimor sërish në formën e pluralizmit të mendimeve për t’ia kundërvënë konceptit të pluralizmit politik, që do të sillte dhe ndryshimin e sistemit monopartiak. Në këtë kohë kemi edhe inflacionin e termit intelektual, që do të luante një rol të rëndësishëm në ligjërimin publik shqiptar gjatë tranzicionit. Regjimi komunist e nënvlerësoi rolin e kulturës dhe aftësive të saj për të mobilizuar një mesazh të ndryshëm nga ai zyrtari.

Kështu ikja e Ismail Kadaresë në Francë në tetor të vitit 1990 e vendosi shtetin shqiptar në situatën kur një nga përfaqësuesit e letërsisë së realizmit socialist do të duhej t’i ndalohej vepra dhe të shpallej armik. Situata ishte e ngjashme me dënimin e Pasternakut në Bashkimin Sovjetik më 1958-n pas marrjes së çmimit “Nobel”, por nëse Pasternaku në kuadër të Luftës së Ftohtë nuk mund të shërbente si model për të inspiruar ndryshime politike, ikja e Kadaresë bash në momentin kur diskutohej ideja e pranimit të pluralizmit politik, ishte një shembull që përshpejtoi disa nga ndryshimet politike të pritshme.

Franca, Europa nderoi një figurë e personalitet që shpeshherë ka shkruar për të shkuarën dhe të ardhmen e saj, por Shqipëria ka më tepër nevojë se kurrë për mesazhe që përforcojnë të tanishmen e saj europiane. Le të shpallet ky vit, viti “Kadare” në kulturën shqiptare, duke qenë se është 80-vjetori i lindjes i tij dhe së bashku me të dhe një rrugëshënim i rëndësishëm i historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar në mes të shekullit XX dhe fillimshekullit XXI.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button