Ekspozita

Transformimi i qyteteve në veprën e Mujos

Shkatërrimi i qyteteve industriale vjen në veprën “Hotel” të artistit Alban Mujo, në edicionin e dytë të festivalit “Albanian light”

Shndërrimi që kanë pësuar sot ish-qytetet industriale të Shqipërisë, si ish-metalurgjiku i Elbasanit apo ish-Qyteti Stalin, është parë nga artisti i Kosovës Alban Mujo, si një grishje artistike. Duke parë transformimet e qyteteve në kushtet e një zhvillimi shpesh pa kritere, ai hodhi skicat e para të veprës “Hotel”, e cila dy ditë më parë u shfaq në plazhin e Drimadhes në edicionin e dytë të Festivalit “Albanian light“. Nën kurimin e Klod Dedës, kjo vepër është më shumë se një përndezje dritash në një plazh mbrëmjeje. Tri shkronjat e para të ndezura me poç elektrik, shihen nga artisti si “leftover” i asaj çfarë ka mbetur nga një sistem i kaluar. Fenomeni i shkatërrimit të një ish-sistemi, shpesh vërehet te shumë vende në tranzicion, ndër to edhe nga vjen vetë artisti, ku kalimi nga një sistem te tjetri, tek ato ndërtesa urbane dhe kombinate industriale që ende nuk kanë kaluar nëpër privatizim të sistemit të ri, shpesh në sisteme demokratike edhe ka dështuar. Kjo ka ndodhur edhe me veprën “Hotel” si sinonim i qytetit, që tregon të kaluarën e një “qyteti” që ishte menduar të ndihmonte mjaft mirë ekonominë e Shqipërisë komuniste. Deri sa tri shkronjat e mbetura ‘HOT’, tregojnë kohën në të cilën gjenden sot qytetet industriale dhe industri të ndryshme, përveç mureve të ndërtesave të mëdha dhe gërmadhave, por edhe shumë njerëzve të sëmurë nga kimikatet e ndryshme kancerogjene, siç është edhe ai i metalurgjikut në Elbasan. Asgjë nuk të ngjason me atë se për çfarë është ndërtuar (HOT-spot i ekonomisë shqiptare) ky “qytet”. Alban Muja si artist ka hulumtuar në disa vepra ndjesinë e qyteteve të sotme. “Emri im, qyteti i tyre” është një tjetër vepër, e cila trajtonte fenomenin e emërtimit të fëmijëve të ndryshëm në Kosovë me emra qytetesh shqiptare. “Emërimi i fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë, buron nga faktorë tjerë. Si për shembull, pamundësia e shqiptarëve të Kosovës të udhëtojnë drejt çka ata ndienin si mëmëdhe, atje ku kishin etninë e përbashkët – çka edhe ushqej ndjenjën e nostalgjisë për Shqipërinë. Për shembull, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ka ndodhur që­ motrat dhe vëllezërit të ndahen, duke ngecur në dy anët e kufirit në kohën e ‘mbylljes’ menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk kishin mundësi të takohen deri në periudhën e rënies së komunizmit në fillim të viteve të ’90. Në këtë periudhë ishte bërë zakon që fëmijët të quheshin Berat, Milot, Saranda, Gjirokastra, Shkodran, Butrint, Vlora, një gjë e pazakonshme për banorët e këtyre vendeve”, do ta shpjegonte Muja këtë projekt. Prishtina është një qytet që vjen i hulumtuar në veprat e Mujës. Në filmin “Blue Wall, Red Door” (2009), ai trajton një fenomen që ka shënuar një pjesë të madhe të shteteve postkomuniste të Europës, mungesën e adresave konkrete të rrugëve. Dhe riemërimet e tyre varësisht nga zhvillimet politike. Në film tregohet realiteti i Prishtinës, banorët e së cilës edhe shumë vjet pas luftës ende kanë probleme me emërimet dhe riemërimet e rrugëve. Si rezultat filmi dokumentar i Mujës tregon se si orientohen qytetarët, duke iu referuar pikave të ndryshme nëpër qytet sikur simboleve e objekteve. Ndër artistët e tjerë që performuan në “Albanian lights” ishin dhe Jora Vaso dhe Lori Ami.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button